Rama vijon në informalitet organizimin për "14 majin". Pas ministrave, te “Vila 30” mblidhen sot drejtuesit e qarqeve

Këtë të enjte kryeministri Edi Rama do të vijojë takimin e dytë informal me ministrat e kabinetit të tij, në vijim të përcaktimit të objektivat për 2023-in dhe veçanërisht për zgjedhjet vendore të 14 majit.

"Vazhdojmë edhe sot diskutimin maratonë të fillimvitit, ku analiza e detajuar e 12 muajve të shkuar na bën shumë optimistë për 2023-shin, po na jep edhe mundësinë e një reflektimi shumë të dobishëm mbi çdo sektor", njoftoi sot në mëngjes kreu i Qeverisë përmes rrjeteve sociale.

Pas këtij takimi Kryeministri Rama do të vijojë në informalitet me një tjetër takim, kësaj radhe me drejtuesit e PS-së në qarqe.

Takimet e Ramës vijnë në një kohë kur Sali Berisha ka zyrtarizuar kandidatët përmes primareve, ndërsa vijon të jetë e ndarë me grupimin e Enkelejd Alibeajt, i cili si pasojë e mbajtjes së vulës së partisë ka deklaruar se do të dalë në zgjedhje me kandidatët e tij në të gjitha bashkitë.

E ndërsa PD lundron në ujëra të trazuara, nga ana e saj Partia Socialiste nuk ka bërë asgjë publike deri më tani. Por ajo që dihet është që Erion Veliaj do të rikandidojë në Tiranë, e ndërsa Dritan Leli nuk do të ketë një shans të dytë në Vlorë.

Në fakt takimi i radhës i kryeministrit Rama me drejtuesit e qarqeve është lajmëruar për t’u mbajtur në orën 15:00 tek "Vila qeveritare 30", ku në fokus mendohet të jenë dy pika: situata në rrethe dhe zgjedhjet e 14 majit, ku më shumë këto takime shihen si një përpjekje e Ramës për të mobilizuar njerëzit brenda vetes, mpasi duket se diçka nuk shkon brenda forcës më të madhe të mazhorancës, e cila prej javësh gjendet në një vorbull rivaliteti të grupeve brenda socialistëve.

Ndërkaq lidhur me fushatën elektorale, tashmë kryeministri Rama duket se po e përqendron vëmendjen tek Pakoja e Madhe e ndihmës prej 8 miliardë lekësh, që do të shpërndahet për disa kategori dhe që vjen pikërisht 5 muaj para zgjedhjeve, gjë që ka bërë që kjo pako të shihet si çelësi i artë që do të bëjë diferencën në 14 maj. Kjo pasi në këtë paketë parashikohet ndarja prej 8 mijë lekësh të reja për 695 mijë pensionistët e vendit, po ashtu pakoja në fjalë parashikon dhe shtesa për pagat e punonjësve të administratës, çka është komentuar gjerësisht në opinionin publik si formë e intimidimit nga ana e qeverisë për përfitime në vota.