Prokuroria vë në lëvizje KQZ-në për Agron Kapllanajn, Celibashi futet në vorbullën e përplasjeve brenda PD-së
Një vjedhje e kryer afro 20 vite më parë në Itali, po e përndjek ish-kryebashkiakun demokrat të Mallakastrës Agron Kapllanajn.
Ai është dënuar në vitin 2004 nga një gjykatë në Firence me 2 vjet burg dhe 300 euro gjobë për këtë vepër penale, ndaj letrat e tij nuk dalin të pastra kur i nënshtrohet ligjit të dekriminalizimit.
Prokuroria e Përgjithshme i është rikthyer sërish kësaj historie, duke i dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një skaner të aktivitetit penal të ish-kryebashkiakut.
Sektori i Dekriminalizimit ka bërë një verifikim të thelluar dhe komunikim me shtetin italian për këtë çështje, ku rezulton se Agron Kapllanajt dënimi i është pezulluar me kusht.
Pikërisht këtë çështje Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve do të mblidhet në 11:00 për të bërë një verifikim më të thelluar jo vetëm për Agron Kapllanajn, por edhe për Kleo Muratajn, i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe që është kandidat për deputet i propozuar nga Partia Social Demokrate e Shqipërisë, qarku Tiranë”.
Nga verifikimi i kryer nga Prokuroria e Përgjithshme, Kapllanaj vijin të mbajë në kurriz dënimin me 2 vjet burg në Itali në 2004 për akuzën e vjedhjes ndërsa Kleo Murataj rezulton i dënuar nga gjykata e Tiranës në 1991 me 2 muaj riedukim për armëmbajtje pa leje.
Ndërkaq, Kapllanaj rezuloton të jetë dhe kryetar i PD-së dega Fier, si pjesë e grupimit të Enkelejd Alibeajt, dhe që nuk e ka fshehur kundërshtimin e Sali Berishës si kryetar të PD-së. Dhe duket se kjo vorbull përplasjesh brenda partisë më të madhe të opozitës do të përfshijë sot edhe institucionin që drejtohet nga Ilirjan Celibashi.





