Berat: Arrestohet Pajtim Shyti, me 2 dënime mbi supe për drogë. E kërkonte dhe Mali i Zi
Është arrestuar në Berat një 43-vjeçar, i cili po kërkohej nga autoritetet në Shqipëri dhe Mal të Zi. Pajtim Shtyti ishte dënuar me 7 vjet burg nga 3 gjykata në vendin tonë nën akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Policia e Beratit ka vënë në pranga një 43-vjeçar të identifikuar si Pajtim Shyti.
Ai ishte i shpallur në kërkim dhe i dënuar nga disa gjykata në Shqipëri dhe Malin e Zi për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.
Sipas policisë ndaj Shtytit, Gjykata e Apelit Gjirokastër, e ka dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim, pasi në vitin 2016, ky shtetas u kap në Përmet, duke shpërndarë lëndë narkotike.
Gjithashtu Gjykata e Apelit Vlorë, ka dënuar me 2 vjet e 7 muaj burgim, pasi në vitin 2016, në banesën e tij në Berat, iu gjetën sasi lëndësh narkotike heroinë e kokainë, si dhe fara kanabisi.
Ndërsa Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat në 2021 i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", pasi ishte i kërkuar nga autoritetet malazeze, po për prodhim dhe shitje narkotikësh.
Shyti pritet të vuajë dënimin prej 7 vitesh burg dhënë nga gjykatat shqiptare, ndërsa ende nuk dihet nëse autoritet në Mal të Zi do të bëjnë kërkese për ekstradimin e 43-vjeçarit.
