E priti ndërrimin e viteve me armë në brez, plagoset aksidentalisht i riu në Shkodër
Një 19-vjeçar në Shkodër ka mbetur i plagosur aksidentalisht me armë zjarri pak para ndërrimit të viteve.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Boks të njësisë administrative Postribë.
Shtetasi S. P. 19 vjeç, rreth orës 21:00 të datës 31 dhjetor, ka shkuar afër një objekti kulti në fshatin Boks, me një armë zjarri pistoletë me vete, për të qëlluar në ajër.
Në këtë vend kanë qenë edhe 15-vjeçari dhe disa shtetas të tjerë të mitur.
Shtetasi S. P. i ka dhënë armën e zjarrit 15-vjeçarit, që të qëllonte edhe ai në ajër.
Në momentin që shtetasi S. P. ka dashur t’ia marrë armën 15-vjeçarit, arma është shkrepur aksidentalisht edhe për pasojë është plagosur në këmbë shtetasi S. P.
Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në vendin e ngjarjes një armë zjarri pistoletë, të cilën e mbante pa leje shtetasi S. P.
Ky i fundit është arrestuar për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, pas konsultimit me prokurorin, për një shtetas të mitur 15 vjeç, për veprën penale “Plagosja nga pakujdesia”.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

