“Viktima” të rindërtimit, familjen prej 6 anëtarësh në Lezhë e gjen Viti i Ri në magazinë

Pasojat e tërmetit të 2019 dhe vonesat me rindërtimin janë duke u ndjerë akoma në zonat e prekura nga lëkundjet shkatërruese. Në Fshatin Tresh të Lezhës familja Nikolli prej 6 anëtarësh jeton në një magazinë të vjetër me kushte minimale. Ata thonë se procesi i rindërtimit për shtëpinë e tyre është ndalur për arsye të panjohura ndërsa bëjnë thirrje për ndihmë pasi e kaluan për të tretën herë natën e ndërrimit të viteve në magazinë.

Në këtë objekt që deri para tërmetit tragjik të vitit 2019-të, shërbente si magazinë dhe kasolle bagëtish jetojnë 6 anëtarët e familjes Nikolli në fshatin Tresh të Lezhës.

Banesa e tyre u dëmtua nga lëkundjet sizmike dhe u shemb për t’i hapur rrugë rindërtimit, por punimet janë bllokuar prej disa muajsh.

E zonja e shtëpisë thotë se trajtohen me bonusin e qirasë, por nuk mund të largohen nga fshati, pasi e kanë të lidhur jetesën me bujqësinë dhe blegtorinë.

Liza Nikolli, e zonja e shtëpisë: Problemet e familjes time janë të shumta faktikisht, por për momentin problem është shtëpia. Dhe përveç shtëpisë, edhe të ardhurat janë ngushtuar, se ne jetojmë me pensionet dhe me KEMP-in e vjehrrës që është këtu me ne, por që dhe atë e kanë ndërprerë.

Të ardhurat e kësaj familje janë të pakta, ndërsa problemet ekonomike janë shtuar edhe më shumë.

Dila Nikolli, gjyshja e shtëpisë: Jetesa është e vështirë, por këto janë kushtet. Unë nuk kam qenë në gjendje pune asnjëherë. Të na ndihmojë Zoti, se ajo e vështirë është, se çfarë bëhet me një rrogë për 6 veta, fëmijët janë në shkollë. Mbas Zotit, po të dojë na ndihmojë është shteti.

Ky është viti i tretë që shumë familje të ngelura të pastreha nga tërmeti në Qarkun e Lezhës, e kaluan natën e ndërrimit të viteve pa shtëpi dhe në kushte të vështira ekonomike.