Deri në Dubai për Vitin e Ri, Operatorët turistikë: Është kthyer në destinacion të preferuar, çdo ditë dy fluturime

Deri në Dubai do të shkojnë shqiptarët për të pritur ndërrimin e viteve. Në Evropë Italia është destinacioni më i preferuar. Operatorët turistikë thonë se këtë fundvit interesi për të kaluar pushimet jashtë kufijve ka qenë më i lartë.

Deri në Dubai për ndërrimin e moteve. Qyteti më i famshëm i Emirateve të Bashkuara Arabe kryeson listën e destinacioneve të preferuara të shqiptarëve për këtë fundvit.
Për çdo ditë nga Shqipëria drejt Dubait ka dy fluturime.

Aneo Hila, Operator turistik: Ky vit është viti i Dubait. Realisht këtë vit kemi shumë njerëz që e kanë zgjedhur këtë vend për pushimet e fundvitit. Kemi dy fluturime në ditë, apo rreth 500 persona në ditë që fluturojnë dhe mbushin avionët e Dubait.

Po përse Dubai?

Aneo Hila, Operator turistik: Kostot e Dubait janë diku tek rreth 800 euro si kosto paraprake. Njerëzit zgjedhin Dubain, sepse Dubai është ai vendi që është si magnet për shqiptarët. Ka gjithë këto gjërat pompoze ku mund të bësh një selfie dhe duket madhështore, identifikohet me kulturën tonë. Por është dhe një destinacion që duhet parë, sepse ka shumë për të ofruar. Ke mundësi për të bërë safari, ke mundësi për të parë borë në shkretëtirë, ka shumë gjëra. Dhe pastaj shfaqja e ndërrimit të viteve është fantastike.

Aneo Hila, drejtues i një agjencie turistike thotë se ndër shtetet Europiane më e kërkuara për të kremtuar vitin e ri është Italia.

Aneo Hila, Operator turistik: Futet tek destinacionet tradicionale të Europës, që janë kryeqytetet kryesisht: Roma, Viena, Amsterdami, Madridi...

Nga ky shtet është po ashtu edhe numri më i lartë i atyre që vijnë në Shqipëri për festë.
Dominojnë emigrantët por gjithashtu edhe turistët.

Aneo Hila, Operator turistik: Ne kemi rreth 50 fluturime në ditë me Rinasin që është e barabartë me kulmin gjatë verës. Destinacioni më i madh, apo gjysma e këtyre fluturimeve janë nga Italia, por ka shtime edhe të anglezëve dhe amerikanëve që vijnë me anë të linjave direkte të Londrës dhe të Dubait.

Pavarësisht efekteve negative që shkaktoi lufta mes Rusisë dhe Ukrainës në ekonomi operatorët turistikë thonë se interesi për të udhëtuar jashtë vendit është shtuar por pritshmëritë i kanë më të larta.