Vaji i ullirit fut në sherr socialistët, Braçe i kthehet ashpër Krifcës: Tmerr të bësh fajtor bujkun për mbiprodhimin!
Situata që po kalojnë fermerët me stokun e vajit të ullirit po shkakton debate edhe mes vetë socialistëve.
Kjo pasi deputeti i PS-së Erion Braçe i është përgjigjur ashpër deklaratave të ministres së Bujqësisë, Frida Krifca të bëra një ditë më parë për mbiprodhimin e vajit të ullirit, e cila tha se vjen për shkak se ullinjtë janë mbjellë pa planifikim nga fermerët.
Në rrjetin e tij social, Braçe shkruan me ironi se tani kemi hall mbiprodhimin e akuzojmë bujkun që mbjell e prodhon.
Sipas tij, është tmerr që sot nuk ka një grumbullues që të grumbullojë ulli në magazinën e ndërtuar me paratë e shtetit.
“Për ullirin deri dje kishim hall mungesën e prodhimit, dy vite me radhe kemi hall prodhimin. Tmerr të bësh fajtor bujkun që mbjell, shërben, shpenzon, prodhon, tmerr! Ndërkohë, më tregoni një grumbullues që magazinën e ndërtuar me paratë e shtetit, po grumbullon ulli!”, shprehet socialisti Erion Braçe në reagimin e tij.

