Agron Çela ndahet nga Meta ikën te Rama, mandati i Partisë së Lirisë në Shkodër i kalon Partisë Socialiste
Deputeti i Partisë së Lirisë në Shkodër, Agron Çela, sipas burimeve i është bashkuar Partisë Socialiste.
Burime per "Ora News" bëjnë me dije se pak ditë më parë deputeti Çela dhe kreu i qeverisë Edi Rama kanë arritur një marrëveshje të përbashkët duke bërë që të kalojë në radhët e PS.
Burimet thanë se një prej arsyeve kryesore të braktisjes së Partisë së Lirisë ka të bëjë me pakënaqësitë e tij për koalicionin e kësaj force politike me Partinë Demokratike.
Në këtë mënyrë në zgjedhjet vendore të 14 majit deputeti Çela do të mbështesë në Shkodër kandidatin e Partisë Socialiste, që siç është përfolur kohët e fundit do të jetë Benet Becin.
Agron Çela ka dy mandate në Parlamentin e Shqipërisë nën siglën e LSI-së, por tashmë ka vendosur që t’i bashkohet kampit të majtë.
Me ardhjen e Agron Çelës, PS-ja në Kuvend bëhet me 74 deputetë dhe koalicioni i majtë së bashku me PSD-në shkon në 78 deputetë.
Në zgjedhjet e 14 majit në Shkodër, përballë Becit do të jetë kryebashkiaku aktual Bardh Spahia, i cili mori mandatin në zgjedhjet e pjesshme të vitit 2022, ndërkohë që ende nuk është bërë e qartë nëse grupimi i Alibeajt do të nxjerrë kandidat.