Tritol në derën e policit në Shkodër, dëmtohet banesa dhe makina, dyshime për shkak të detyrës
Një tjetër efektiv i Policisë së Shtetit në Shkodër, mori një mesazh të fortë kriminal, me tritol në derë të banesës. Në dëshminë e parë, punonjësi i patrullës së përgjithshme e lidhi sulmin me detyrën.
Në Shkodër u rikthyen shpërthimet me tritol ku sërish shënjestër ishte uniforma e shtetit.
Një sasi lëndë plasëse ju vendos në banesë në orët e para të mëngjësit të së premtes, banesës punonjësit të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Shkodër, Valter Serra.
Ngjarja u regjistrua në fshatin Bardhaj, ku nga shpërthimi fatmirësisht nuk pati të lënduar por vetëm dëme materiale.
Siç e tregojnë edhe pamjet në vendngjarje, lënda plasëse është vendosur në pjesën anësore të shtëpisë, e cila ka pësuar dëmtime të lehta, ndërsa automjeti tip “Volkswagen” në pronësi të efektivit, është shkrumbuar i gjithi.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije për Ora News, se efektivi ka qenë i vetëm në banesë në momentin kur është vendosur sasia e tritolit. Dy persona të maskuar dyshohet se kanë ardhur në këmbë dhe kanë vendosur lëndën eksplozive, e më pas janë larguar.
Për identifikimin e tyre po punohet përmes kamerave të sigurisë që të dërgojnë në zonë, pasi vetë banesa e efektivit nuk ka kamera.
Për ngjarjen deri më tani nuk ka asnjë të shoqëruar ,ndërsa kolegëve të tij, efektivi Serra ju ka deklaruar se nuk ka dijeni përse mund t’i jetë vendosur tritoli, por dyshimet i ka për shkak të detyrës.
“Nuk kam konflikte me njeri dhe nuk kam patur ndonjë kërcënim, që të mund të kem një indicie” është shprehur ai, duke kërkuar zbardhjen e ngjarjes.
Efektivi Serra punon prej afro 3 vitesh në policinë Vendore të Shkodrës, duke shërbyer si patrullë. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.



