Konfiskimi i "RTV Ora", Daçi: Z. Ylli Ndroqi në 1993 kishte regjistruar biznesin më të madh të mundshëm të asaj kohe

Publikimi i vendimit të Gjykatës së Posaçme për pronat e Ylli Ndroqit ka nxjerrë në pah një standard të panjohur më parë në drejtësinë shqiptare. Gjyqtarja, Etleva Deda, ka hedhur në kosh raportin e njërës prej eksperteve që vetë kishte përzgjedhur, me argumentin se ajo nuk kishte licencë.

Ligjet në fuqi i japin gjykatës të drejtën dhe përgjegjësinë e zgjedhjes së ekspertit, ndërkohë që në vendim bie në sy tendenca e gjykatës për të mos njohur të ardhurat nga bizneset e Ylli Ndroqit nga viti 1993 pavarësisht mbi 700 maune të regjistruar në dogana.

Në një intervistë për "RTV Ora" avokati i biznesmenti Ylli Ndroqi, Enis Daçi theksoi se bëhet fjalë për shuma të konsiderueshme që kanë nisur prej vitit 1993 me kapital fillestar prej 20 mijë dollarësh gjë që përbënte dhe biznesin më të madh të mundshëm që në atë kohë.

Enis Daçi: Po ky është fakti. Është biznes i madh, më i madhi i mundshëm i regjistruar në atë periudhë në Shqipëri.

Ekspertja në fjalë arrin në një përfundim që nuk i pëlqen gjykatës. Arrin në një përfundim që nuk i pëlqen prokurorëve. Dhe nuk është vetëm kjo eksperte, por akti i ekspertizës u nënshkrua nga të tre ekspertët. Të tre mbajnë përgjegjësi për përmbajtjen e ekspertizës. Dhe kjo zonjë në analizën e saj thotë: "Unë kam të dhëna që nga viti 1997 dhe viti 1998 kjo kompani e z. Ylli Ndroqi ka importuar mbi 700 maune". Dhe bën nga këto të dhëna të dorëzuara nga autoriteti doganor një matje në bazë të disa kritereve, dhe thotë: Për mua, vlerësoj se në vitet 1993 deri në 1998-n, (pasi për këtë mision ishte caktuar), rezulton pak a shumë shuma 1 milion eurot e sotme fitimet neto. Dhe në këtë 1 milionë euro ka hequr të gjitha tatimet në matjet e saj. Dhe në shpjegimet që ka dhënë në gjykatë kjo eksperte ka thënë: "Unë mund të rezultoja në një rezultat shumë herë më të madh fitimesh në favor të z. Ylli Ndroqi nëse autoriteti doganor do të paraqiste dokumentet doganore për të përcaktuar se sa maune nga viti 1993 deri në vitin 1996.pasi për 1997-n dhe 1998-ën bëhet fjalë për 700 maune. Përse këto dokumenta nuk u dorëzuan nga autoriteti doganor? Kjo është për t'u qartësuar.

Beti Njuma: Përse nuk i ka kërkuar prokuroria këto dokumente?

Nuk janë kërkuar këto dokumente, sepse janë në disfavor të prokurorisë. Shumë shkurt: Nuk janë kërkuar nga gjykata, sepse Gjykata është "viva- voce" e Prokurorisë. Dhe ky vendim që ju shihni që është 300 faqe, në një paragraf me dy argumente kryesorë do mjaftonte. Ky paragraf do përmbante dy elementë: është apo jo z. Ylli Ndroqi subjekt i ligjit "Antimafia"?! Argumenti i dytë është ekspertiza në fjalë është prova kryesore.