Mashtroi qytetarët për t'u marrë miliona lekë, "arrest me burg" për Viola Sterjon

Gjykata e Korçës ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për Drejtoreshën e Mjedisit në Bashkinë Tiranë Viola Sterjo.

Ajo u arrestua tre ditë më parë për mashtrim me pasoja të rënda ndaj të paktën pesë sipërmarrësve në Korçë dhe Pogradec.

Sterjo u denoncua pasi u ka marrë shuma të mëdha parash duke u premtuar se do të përfitonin grante për të ngritur bizneset e tyre.

E arrestuara nuk e ka mohuar marrjen e pagesave nga qytetarët por ka pretenduar se kishte ofruar konsulencë për përgatitjen e dosjeve të aplikimit për fonde, në AZHBR.

Në seancën e zhvilluar sot me dyer të mbyllura, Prokuroria ka deklaruar se e pandehura është denoncuar nga pesë qytetarë, për marrjen e shumave nga 20 deri në 160 mijë euro, kundrejt ndërhyrjes për grante tek AZHBR.

Grantet që do të përfitoheshin me ndërhyrjen e saj në AZHBR, ishin në vlera nga 2.2 milion euro deri në 4.5 milion euro.

Avokati mbrojtës i Viola Sterjos, Nevzat Tarelli, pranoi mardhënien e klientes së tij me qytetarët që e kanë denoncuar, por pretendoi se tek pagesat nuk ka as korrupsion e as mashtrim.

Tarelli: “Ajo nuk mohon ekzistencën e mardhënies me personat, të cilët kanë ngritur kallëzim. Me ta pretendohet për një mardhënie juridike civile, përgatitjen e dokumentacioneve të nevojshme për aplikimin për grande, që qeveria shqiptare apo organizata të huaja japin për shtetas shqiptarë, që investojnë në fushën e turizmit. Bëhet fjalë për ndërtime në zona turistike. Duke qënë e punësuar part-time në disa studio si konsulente ka hyrë në këto mardhënie me qytetarët”.

Mbrojtësi ligjor kërkoi një masë më të lehtë për klienten e tij, me pretendimin se ajo ka treguar bashkëpunim të plotë për të zbardhur marëdhënien e saj, me këta qytetarë.

Sipas avokatit, Sterjo është nëna e 2 fëmijëve dhe ka probleme shëndetësore.

Mashtroi qytetarët për t'u marrë miliona lekë,