Jo antibiotikë kundër virozave! Mjekët: Përdoren vetëm në rastet e infeksioneve bakteriale

Mos përdorni antibiotikë kundër virozave e gripit. Është ky apeli i mjekes infeksioniste, Sabahet Dedja, për kolegët.

Antibiotikët nuk shërojnë gjendjet virale.

Sabahet Dedja: Antibiotikët janë ilaçe të cilat veprojnë kundër bakterieve, jo kundër viruseve, jo kundër parazitëve, jo kundër kërpudhave.

Por edhe kur mjekët tregojnë kujdes në dhënien e tyre në jo pak raste janë pacientët që kërkojnë me këmbëngulje marrjen e antibiotikëve.

Sabahet Dedja: Na ndodh shpesh që familjarët ikin nga ne që u bëjmë rezistencë dhe shkojnë në një vend tjetër ku e marrin me lehtësi atë antibiotik që kërkojnë dhe fillojnë e përdorin.

Mjekja thotë se shpesh këto barna jepen në kohën e gabuar.

Përdorimi i tyre duhet të nisë të paktën tre ditë nga shfaqja e simptomave dhe pas kryerjes së analizave.

Sabahet Dedja: Prisni 72 orë, nëse vazhdon temperatura në ditën e katërt dhe të pestë por kjo temperaturë ka tendencë gjithmonë në rritje dhe jo në zbritje, atëherë paraqituni te mjeku. Për dy arsye, dhe për të parë nëse duhen bërë ekzaminime, por edhe për të parë nëse kanë filluar komplikacionet apo pasojat e infeksioneve virale. Dhënia e antibiotikut në fazën fillestare përveç se bën dëm, nuk sjell asnjë të mirë.

Përjashtim bëjnë gjendjet e rënda shëndetësore.

Sabahet Dedja: Vetëm në rastet e rënda, vetëm ato janë të justifikuara për të dhënë antibiotik menjëherë.

Një nga rreziqet më të mëdha që vijnë nga përdorimi pa kriter i antibiotikëve është rezistenca e baktereve ndaj tyre.

Sabahet Dedja: Ne e japim mjekimin por mjekimi ose i afrohet zeros ose vepron në përqindje shumë të ulët.

Javët e fundit mjekët në qendrat shëndetësore janë përballur me numër të lartë personash të prekur nga virozat e stinës apo gripit.

Për t'u mbrojtur ndaj tyre këshillohet vaksinim.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.