AKU bllokon suplementet ushqimore, pasi kishin pluhur qelqi, bllokohen edhe 556 kg mish gjiro
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar suplemente ushqimore, pas analizave të bëra në Gjermani për këto produkte.
AKU bën me dije se në produktin DU ANACAPS EXPERT 30 CAPS janë gjetur trupa të huaja si pluhur qelq.
“Referuar njoftimit të ardhur nga sistemi RASSF (Sistemi i Alertimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë), pas analizave laboratorike të kryera nga Gjermania është konstatuar prani e trupave të huaj, pluhur qelqi, në produktin DU ANACAPS EXPERT 30 CAPS, suplemente ushqimore me Nr. Loti 2K1MC.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit po ndërmerr të gjitha masat e nevojshme nëpërmjet kontrolleve zyrtare në operatorët e biznesit që tregtojnë këto suplemente ushqimore, për identifikimin, bllokimin dhe tërheqjen e produktit. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i bën thirrje konsumatorëve që e kanë blerë këtë produkt të mos e konsumojnë, por ta kthejnë pranë subjektit ku e kanë blerë.” – njofton AKU.
Po ashtu AKU ka bllokuar edhe 566 kg produkt gjiro të një fast foodi pasi mbahej në kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare.
“566 kg produkt gjiro i bllokuar. Fast-food-i me kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon kryerjen e kontrolleve me qëllim garantimin e shëndetit të konsumatorëve në këtë prag festash të ndërrimit të viteve. Nga kontrolli i kryer në subjektin “V. Gj.”, me aktivitetit fast food, Tiranë, u konstatua se produkti gjiro përpunohej në kushte të papërshtashme higjieno - sanitare.
Si rrjedhojë nga ana e trupës inspektuese u bë bllokimi i këtij ambienti, ndaj subjektit u vendos masë administrative “gjobë” me vlerë 500'000 lekë, si dhe u bllokua sasia prej 566 kg produkt gjiro për të cilat u krye marrje mostre për t’u analizuar për treguesit mikrobiologjik.” – bën me dije AKU.




