Në treg “si turistë”, Korça pa blerje këtë fundvit, qytetarët dalin nga tregjet duarbosh
Edhe në Korçë si në pothuajse të gjitha qytetet e vendit këtë fundvit duket se tryezat e familjeve në natën e ndërrimit të viteve nuk do të jenë të plota. Rritja e vazhdueshme e çmimeve ka bërë që shumë qytetarë të shkojnë në tregje si vizitorë, dhe jo si blerës. Mishi dhe bulmeti duket se janë produktet më të shtrenjta që qytetrat nuk kanë mundësi t’i blejnë.
Për qytetarët e Korçës tavolina e natës së ndërrimit të viteve nuk do të jetë si vitet e tjera.
Ata shprehen se çmimet e larta u kanë pamundësuar blerjen e shumë produkteve.
"Janë të shtrenjta gjërat. Nga të gjitha nga pak do të mungojnë në tryezë. Sa të ekmi mundësi do të marrim. Kur nuk kemi, do të rrimë. 40 vjet punë edhe kur vjen puna nuk kemi për Vitin e Ri," tha ai.
Shprehen se kryesisht mishin dhe bulmetet e kanë të pamundur që t’i blejnë.
"Mishi dhe gjalpi kanë shkuar nga 1300 lekë. Çfarë të bëjmë? Presh, gjellë me presh dhe me oriz do të hamë. Dua të ha dhe unë njëçik pushim," tha një tjetër.
Por edhe për tregtarët situata është e zymtë.
Ata thonë se shitjet e pakëta kanë bërë që të ardhurat të jenë minimale.
"Këtu nuk ka punë fare. Sidomos këtë vit është zero fare. Ja shiko, peizazhi i bukur lë për të dëshiruar.
Fundviti është por blerje nuk ka fare dhe arsyeja është se njerëzit nuk kanë lekë," thonë tregtarët.
Qytetarët thonë se nuk kanë të ardhura, ndaj këtë vit shkojnë në treg më shumë si vizitorë, sesa si blerës.
"Po si nuk ndihemi keq, kemi futur miliona lekë këtu dhe presim. Punon shumica me kg si ne.
Vijnë vërdallë, marrin gjysmë kg, çerek kg, ngqë nuk kanë," thonë ata.
Rritja e vazhdueshme e çmimeve gjatë këtij viti ka bërë që qytetarët të jenë në vështirësi për shportën familjare, jo vetëm në fundvit por gjatë 10 muajve të fundit.
