“Green Coast” investon në arsim, shkolla në Dhërmi me mjedise sportive të reja e bashkëkohore
Rreth 70 fëmijë që mësojnë në shkollën e fshatit Dhërmi në Himarë tashmë kanë mundësi që falë ambjentit sportiv të rinovuar nga kompania Green Coast, lëndën mësimore të edukimit fizik ta kryejnë me kushtet e duhura që kërkon procesi mësimor.
Bashkë me ambjentin sportiv, Green Coast, ka mundësuar dhe një kënd sportiv, i cili shërben për argëtimin e fëmijëve të kopshtit.
Drejtori Ekzekutiv, Green Coast, Armando Alicanaj, gjatë një vizite në këtë shkollë theksoi se një nga qëllimet kryesore të kompanisë sa i takon përgjegjësisë sociale është investimi në arsim dhe ofrimi i mundësive të reja për fëmijët në zonë.
"Qëllimi i Green Coast është që në zonën ku operon të rrisë nivelin arsimor, të krijojë kushte më të mira për gjithë fëmijët, brezin e ri që po rritet, të sjellë risi dhe të sjellë mundësi të reja për të gjithë fëmijët në zonë."
Investimi është parë nga afër dhe nga përfaqësues të bashkisë Himarë, të cilët vlerësojnë bashkëpunimin e frytshëm me Green Coast.
"Green Coast është gjithmonë në bashkëpunim me bashkinë Himarë. Në fushën e arsimit ka realizuar disa investime në disa shkolla."
Ndërsa për drejtoreshën e shkollës 9-vjeçare "Gjik Bixhili" në Dhërmi ky investim ka qenë i domosdoshëm për nxënësit që vijnë nga e gjithë zona.
"Nuk shërben vetëm në kohën kur fëmijët janë në shkollë, por fëmijët mund të vijnë të argëtohen dhe pasdite."
Një vit më parë Green Coast pajisi me infrastrukturën e duhur laboratorin e shkollës në mënyrë që mësuesit dhe nxënësit të zhvillojnë më mirë lëndët e teknologjisë dhe informacionit.

