Tragjike në Kolonjë, 32-vjeçari me dhimbje dhëmballe vdes rrugës për në spital

Një 32-vjeçar nga Kagjinasi i Kolonjës ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital.

Sipas informacioneve, bëhet me dije se shtetasi Genti Isai, ka patur shqetësime paraditen e sotme për dhimbje dhëmballe, ndërsa ka shkuar tek stomatologu dhe ka marrë recetën e qetësuesve.

Pas marrjes së mjekimeve në farmaci, ai është rikthyer në banesë.

Pak orë më vonë, 32-vjeçari nuk është ndjerë mirë në banesë, dhe ka qenë babai i tij që ka lajmëruar ambulancën.

Ambulanca ka arritur në gjysmë të rrugës dhe mjekët e kanë konstatuar 32-vjeçarin pa shenja jete.

Viktima ishte nisur me automjet privat drejt Spitalit të Ersekës, sepse kishte humbur ndjenjat në banesë.

Viktima ishte fëmijë i vetëm. Pritet të kryhet autopsia e viktimës për të zbuluar shkaqet e vdekjes.

Çfarë thotë policia?

Ndërkohë policia në njoftimin për ngjarjen pretendon se i riu ka ndërruar jetë në banesë.

"Sot, rreth orës 17:00, në fshatin Kagjinas, Kolonjë, në banesë, ka ndërruar jetë shtetasi G. I., rreth 32 vjeç. Nga këqyrja e jashtme e trupit të 32-vjeçarit, nuk janë konstatuar shenja dhune. Pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes.Grupi hetimor po punon për të sqaruar rrethanat e ngjarjes".

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.