Pse vonon vettingu i Malajt?! Prokurori i Tiranës me biznes në import e transport nafte
Kur komisioneve të vettingut u kanë mbetur edhe dy vite nga përfundimi i afatit për kalimin në filtër të gjyqtarëve dhe prokurorëve, mbetet i lartë numri i dosjeve të konsideruara problematike që janë të patrajtuara.
Madje jo vetëm emra nga rrethet, por edhe në Tiranë. Mediat kanë shkruar më herët për rastin e prokurorit, Sokol Malaj, madje duke e renditur dhe tek më të pasurit, ndërsa pikëpyetje janë ngritur mbi biznesin e tij të ushtruar krahas detyrës së prokurorit.
Në vitin 2014 ai rezulton që të ketë krijuar kompaninë “Oleum Transport” me një kapital prej 5 milion lekësh.
Njëkohësisht Malaj rezulton dhe prokuror, dhe më tej dhe kryeprokuror i Vlorës, por edhe pronar i një biznesi që e ka shtrirë aktivitetin nga transporti, tregtimi, ndërtimi dhe eksporti i naftës, vajit etj.
Ndërsa bie në sy se pak pas krijimit të aktivitetit janë regjistruar dhe disa kamionë gjysmërimorkio me një vlerë të konsiderueshme.
Vetëm një vit më pas, prokurori vendos shitjen e 50% të aksioneve të kompanisë kundrejt një pagesë 3 milion lekësh.
Ndryshimet vazhdojnë më tej, kur në vitin 2018 edhe pas shkrimeve në media dhe kur nisi vettingu, Malaj vendos të kalojë në pasiv aksionet e tij duke ua kaluar personave të tretë.
Por kjo nuk e ka përjashtuar mundësinë që njëkohësisht edhe në katër vite të ishte përfaqësues i akuzës, por edhe pronar i një biznesi me një gamë të gjerë aktiviteti dhe me një numër të lartë mjetesh të rënda të pasqyruar në regjistrin e “Oleum Transport”.
Edhe në deklarimin e pasurisë rezulton se ai ka të paktën tre apartamente banimi dhe një tjetër të prenotuar dhe një garazh, për të cilat shprehet se i ka nga të ardhurat e klinikës së bashkëshortes, një pjesë nga kreditë dhe të tjetrat nga biznesi.
Gjithësesi duket se vettingu ndaj tij ka nisur në tri kriteret: Me verifikimin e bilanceve të deklaruara në kriterin e pasurisë dhe sjelljeve si prokuror dhe lidhjeve të mundshme me persona në konflikt interesi apo me probleme ligji në kriterin e pastërtisë së figurës.
Një tjetër kriter është aftësia profesionale, ku verifikohen dosjet e hetuara dhe një raport vlerësimi i Prokurorisë së Përgjithshme.
Megjithatë, Malajt ende nuk i është dhënë një datë se kur do të përballet me vettingun duke vijuar me pikëpyetjet nëse ai do të vazhdojë në detyrë deri në mbërritjen e datës apo do të japë dorëheqjen ashtu si edhe të tjerë që pas largimit i kanë lënë pikëpyetjet pa përgjigje.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
