Katar Airways ndaloi të fluturonte një influencere braziliane mbipeshë
Katar Airways do të paguajë shtrenjtë për sjelljen raciste ndaj një influencere braziliane pasi ata refuzuan ta lejojnë atë të udhëtojë për shkak të kilogramëve të tepërt.
Siç shkruan gazeta “Bild”, influencerja braziliane Juliana Nehme u gjykua nga linjat ajrore të Katarit si mbipeshë për të hipur, ndërsa bileta e kthimit që ajo kishte nxjerrë tashmë për t’u kthyer në vendin e saj pas pushimeve në Liban nuk iu pranua.
Pele në fund të jetës, familjarët përgatiten t’i japin lamtumirën
23 Dhjetor, 19:05
Siç pretendon 38-vjeçarja braziliane, pesha e saj nuk ka luajtur asnjëherë rol kur udhëtonte me avion.
Nehme, siç komentohet nga “Bild”, ishte me pushime me familjen e saj në Liban në nëntor dhe dëshironte të kthehej në atdheun e saj nëpërmjet Dohas me Katar Airways.
Por në Bejrut ajo nuk u lejua të hipte.
“Një stjuardesë nga Katari i telefonoi nënës sime në check-in dhe i tha që nuk jam e mirëpritur sepse jam shumë e trashë”, ka shkruar Juliana në Instagram, duke ndarë me 168 mijë ndjekësit e saj sjelljen e papranueshme të linjave ajrore të Katarit.
Në sportelin e aeroportit, stafi i tha asaj se duhej të paguante një biletë të klasit të biznesit për 3000 euro.
Ajo vetë kishte rezervuar një biletë të klasit ekonomik, duke paguar shumën prej një mijë eurosh.
38-vjeçarja braziliane nuk pranoi të paguante diferencën dhe për dy orë iu lut stjuardesave që ta lejonin të udhëtonte me biletën e saj tashmë të paguar, por pa sukses.
Ndërsa motra dhe nipi i saj hipën dhe u kthyen në Brazil, ajo dhe nëna e saj mbetën të shkatërruar anë aeroportin e Bejrutit.
“Unë u poshtërova jashtëzakonisht para të gjithëve në aeroport vetëm sepse jam e shëndoshë! Sa turp që një kompani si ajo e Katarit e lejon këtë diskriminim. Jam e shëndoshë, por kam të njëjtat të drejta si njerëzit e tjerë”, shkruan influencerja 38-vjeçare, duke u ankuar për eksperiencën traumatike që ka përjetuar.
Përfundimisht ambasada braziliane në Bejrut e zgjidhi problemin duke siguruar biletën e kthimit të Nehmes.
Kur mbërriti në vendin e saj, 38-vjeçarja braziliane vendosi të çojë Katar Airways në gjykatë.
Sipas botimit gjerman, një gjykatë në Sao Paulo dënoi kompaninë ajrore të martën, duke e urdhëruar atë të paguajë 3500 euro për seancat e psikoterapisë pas përvojës traumatike.
Nga ana e saj, Katar Airways pretendoi pas incidentit se Nehme thjesht duhej të kishte rezervuar dy bileta për të hipur.
“Kushdo që merr hapësirë nga pasagjerët e tjerë duhet të blejë një vend shtesë për sigurinë dhe komoditetin e të gjithë pasagjerëve”, shkroi kompania në një deklaratë.


