Sulmi kundër memorialit të Mid’hat Frashërit, reagon Shehaj: Akt kriminal dhe i padenjë, nuk ul madhështinë e tij
Agron Shehaj ka reaguar lidhur me sulmin kundër memorialit të Mid’hat Frashërit.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook Shehaj thotë se “Sulmi kundër memorialit të Mid’hat Frashërit, një prej etërve të Kombit Shqiptar, është akt kriminal dhe i padenjë”.
Sipas tij “Ky akt i rëndë i ekstremistëve nostalgjikë të regjimit që i përkasin një kohe tashmë të kaluar nuk ul aspak madhështinë e Mid’hat Frashërit dhe veprës së tij”.
“Ky akt i rëndë i ekstremistëve nostalgjikë të regjimit që i përkasin një kohe tashmë të kaluar nuk ul aspak madhështinë e Mid’hat Frashërit dhe veprës së tij. Besnikëria ndaj parimeve, atdhetarizmi dhe besimi te vlerat perëndimore vazhdojnë të jenë aktuale dhe frymëzojnë vërtet çdo shqiptar që beson se pavarësisht vështirësive, ne mund të ndërtojmë një Shqipëri evropiane.”, shkruan Shehaj.
Persona të paidentifikuar kanë shkatërruar bustin dhe varrin e Mit’hat Frashërit.
Për momentin nuk ka ende asnjë reagim nga Policia, për këtë akt vandal të shëmtuar.
Busti i Mit’hat Frashërit është vepër e skulptorit Agim Rada, e cila u vendos në Tiranë në tetor të vitit 2018.
Busti i Mithat Frashërit u vendos krah vëllezërve Frashëri tek Kodrat e Liqenit, në një ceremoni të veçantë më 12 tetor të atij viti, ndërsa shkaktoi edhe shumë debate për nderimin e tij.
Mit’hat Frashëri ka qenë diplomat, shkrimtar dhe politikan shqiptar, një nga veprimtarët e Rilindjes Kombëtare dhe pjesëmarrës dhe kryetar i Kongresit të Manastirit.
Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë qe ministër, diplomat i shtetit shqiptar, kryetar i Ballit Kombëtar dhe Komitetit “Shqipëria e Lirë”.
