Grupi BALFIN dhe Universiteti Polis në mbështetje të inxhinierëve dhe arkitektëve të ardhshëm

Grupi BALFIN ka vendosur një urë komunikimi me Universitetin POLIS për t’u krijuar më shumë mundësi studentëve, si gjatë studimeve, ashtu edhe në kontaktet e para me tregun e punës.

Edlira Muka, Drejtore Ekzekutive e Grupit BALFIN, dhe Prof.Dr. Besnik Aliaj, Rektori i Universitetit, nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit që i hap rrugë projekteve të përbashkëta me kompanitë e Grupit BALFIN.

Prof.Dr. Besnik Aliaj vlerësoi modelin e paraqitur nga Grupi BALFIN në zhvillimin dhe zbatimin e projekteve të ndërtimit.

Rektori tha se “universiteti dëshiron të bashkëpunojë me më të mirët dhe kompanitë e Grupit BALFIN kryesojnë në Shqipëri dhe janë aktorë nga më të rëndësishmit në rajon.

Synimi është që vlerat dhe standardet e vendosura nga ky grup të bëhen raste studimore për studentët, të cilët do t’i analizojnë dhe kthejnë në frymëzim për suksese të ardhshme”.

“Tek Universiteti POLIS shohim një institucion arsimor të orientuar drejt kërkimit, krahas formimit teorik dhe profesional të studentëve, në profile që lidhen ngushtë me fushën e aktivitetit të disa kompanive tona”, pohoi Edlira Muka.

“Ndërkohë Grupi BALFIN përkrah studentët që përfshihen në projekte kërkimore, sociale apo nisma biznesi, si edhe të rinjtë që dëshirojnë të aftësohen profesionalisht dhe të punësohen në kompanitë e tij, në të gjitha shtetet ku është i pranishëm”.

Grupi BALFIN dhe Universiteti Polis në mbështetje të

BALFIN Real Estate and Hospitality, Green Coast Resort and Residences, ManeTCI janë kompanitë ku do të fokusohet bashkëpunimi me stafin akademik dhe studentët e Universitetit POLIS.

Specifikat i shpjegon Erion Avram, Drejtor Ekzekutiv i ManeTCI, kur thotë se “nevojat e këtyre kompanive për profesionistë të rinj e të talentuar në arkitekturë dhe inxhinieri janë të mëdha dhe, po kaq të mëdha, janë edhe mundësitë për zhvillim dhe karrierë.

Koordinimi me Universitetin POLIS do të përgatisë arkitektët dhe inxhinierët e së nesërmes për kërkesat e tregut të punës dhe do t’u japë hapësirë për realizimin e projekteve profesionale nga ana e tyre”.

Mijëra studentë nga çdo universitet në Shqipëri janë bërë pjesë e programit B4Students të Grupit BALFIN, që synon fuqizimin e të rinjve dhe të sistemit arsimor. Shumë prej tyre kanë kryer praktikën profesionale në kompanitë e këtij grupi, për t’u punësuar më pas sipas profilit të preferuar.

Me edukimin dhe të rinjtë si një shtyllë të përgjegjshmërisë sociale, Grupi BALFIN është shndërruar në promovuesin e besimit tek energjia e studentëve dhe tek potenciali i tyre për të sjellë ndryshim në shoqëri.

Mbi 5.000 punonjës të specializuar në industritë ku veprojnë kompanitë e tij, ku mbizotëron grupmosha rinore, dhe programe të brendshme trajnimi e zhvillimi, e bëjnë Grupin BALFIN një nga punëdhënësit më të mëdhenj e më të vlerësuar në Ballkanin perëndimor, me kontribut domethënës në ekonomitë e vendeve përkatëse dhe standarde të larta në veprimtarinë e vet.