Zjarre dhe përleshje me policinë, kryeqyteti francez kthehet në fushë betejë pas vrasjes së tre kurdëve

Demonstratat kanë shpërthyer në Paris pasi një person i armatosur 69-vjeçar vrau tre anëtarë të komunitetit kurd.

Tensionet janë ndezur në kryeqytetin francez me protestuesit që janë mbledhur në vendin e tragjedisë dhe janë përplasur me forcat e policisë.

Parisi i ngjan një fushëbeteje, ndërsa dhjetëra policë janë plagosur.

Forcat e policisë përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë një turmë protestuesish kurdë pranë një qendre kulturore kurde në qendër të Parisit, para së cilës sulmuesi vrau tre persona.

Incidentet filluan kur turma u përplas në një kordon të forcave të sigurisë që mbronin ministrin e Brendshëm francez Gérald Darmanin, i cili mbërriti në vendngjarje.

Forcat e sigurisë hodhën gaz lotsjellës ndaj protestuesve, të cilët nga ana e tyre hodhën objekte në drejtim të tyre, dogjën kazanët e plehrave dhe ngritën barrikada.

Më herët, një person i armatosur hapi zjarr në një qendër kulturore kurde dhe një kafene kurde pranë qendrës së Parisit, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur tre të tjerë.