Putin: Rusia do fundin e luftës
Vladimir Putin është shprehur se është i gatshëm t’i japë fund luftës dhe t’i hapë rrugë negociatave diplomatike. Por sipas Shtëpisë së Bardhë, një deklaratë e tillë bëhet thjeshtë prë të tërhequr vëmendjen, pasi në terren nuk ka sinjale që mbështetsim këtë deklaratë
Presidenti Vladimir Putin tha të enjten se Rusia do të donte t'i jepte fund luftës në Ukrainë dhe se një gjë e tillë do të kërkonte në mënyrë të pashmangshme një zgjidhje diplomatike.
Kjo deklaratë vjen një ditë pasi Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden priti presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy në Shtëpinë e Bardhë dhe i premtoi atij mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të SHBA-së.
Por SHBA i sheh me mosbesim këto komente. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby tha se presidenti rus "nuk ka dhënë absolutisht asnjë sinjal se është i gatshëm të negociojë" për t’i dhënë fund të luftës.
Ai përsëriti se zoti Biden ishte i hapur për bisedime me zotin Putin, por vetëm pasi udhëheqësi rus "të dëshmojë seriozitet për negociatat" dhe pas konsultimeve me Ukrainën dhe aleatët e SHBA-së.
Rusia ka thënë vazhdimisht se është e hapur për negociata, por Ukraina dhe aleatët e saj dyshojnë se kjo është një taktikë për të blerë kohë pas një sërë humbjesh dhe zmbrapsjesh ruse që e kanë ndryshuar kahjen e luftës 10-mujore në favor të Kievit.
Rusia thotë se është Ukraina ajo që po refuzon të bisedojë. Kievi thotë se Rusia duhet të ndalë sulmet dhe të tërhiqet nga i gjithë territori që ka marrë nën kontroll.
Presidenti Putin minimizoi gjithashtu rëndësinë e sistemit të mbrojtjes ajrore Patriot që Biden ka pranuar të dërgojë në Ukrainë, duke thënë se Rusia do të gjente një mënyrë për t’u kundërpërgjigjur.
Sipas tij sistemi patriot nuk funksionon aq mirë sa sistemi rus S-300, duke pretenduar se Rusia do t'i "mposhtë" sistemet Patriot, por kjo do të çonte vetëm në zgjatjen e konfliktit.
Presidenti Putin tha gjithashtu se tavani i vendosur për çmimin e naftës ruse nga vendet perëndimore, për të kufizuar aftësinë e saj për të financuar luftën, nuk dëmton ekonominë e vendit të tij.