I arrestuar më parë për sulme raciste, momenti i kapjes së autorit të sulmit në Paris

Video e arrestimit të 69-vjeçarit që hapi zjarr jashtë një qendre kulturore kurde në Paris mesditën e së premtes është publikuar nga mediat e huaja.

Sipas medias franceze ai kishte një të kaluar raciste ndërsa një vit më parë ai u arrestua për një sulm me thikë ndaj emigrantëve në lagjen e 12-të të kryeqytetit francez. 

AFP raportoi gjithashtu se 69-vjeçari ishte akuzuar edhe për tentativë vrasje në vitin 2016.

Ndonëse autori 69-vjeçar i sulmit në lagjen e 10-të të kryeqytetit francez është arrestuar dhe arma me të cilën ka përhapur vdekjen është konfiskuar, zona mbetet e rrethuar.

Për momentin po shqyrtohet edhe nëse çështja duhet të cilësohet si terroriste dhe për rrjedhojë të merret shërbimi antiterrorist i Francës.

Objektivi i sulmit të 69-vjeçarit ishte i trefishtë pasi sipas kryebashkiakut të qarkut të 10-të të Parisit, të shtënat u qëlluan në një qendër kulturore kurde, një restorant dhe një sallon flokësh.