Berisha: Paratë e incineratorëve e kanë djegur mirë edhe SPAK-un e partisë
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në konferencën e përbashkët sulmoi Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion lidhur me hetimet për incineratorëve.
"Çështja që unë dua të sjell në vëmendjen e publikut është raporti SKAP-djegës. Sot ka prova, ka të dhëna, që implikojnë direkt SKAP-in e partisë si institucion që ushqehet në grazhdin e djegësave të qeverisë. Nuk ka gjë më absurde, më të njëanshme, më komprometuese, se kryetarin e Bashkisë së Fierit, përgjegjës direkt për të gjithë akuzat që janë bërë për inceneratorin e Fierit, e përjashtojnë nga akuzat, dhe marrin nën akuza vartësit e tij. Kjo dëshmon se SKAP-i i partisë po zhgërryhet në grazhdin e qindra milionëve të inceneratorëve", deklaroi kryedemokrati.
Berisha tha se Parlamenti e mbylli vitin në mënyrën më moniste. Të gjitha pushtet, përveç kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, tani i shkojnë qeverisë.
“Të gjithë kandidaturat që ishin në listë për t’u votuar, gjykoj se kjo ishte lista më dinjitoze që është paraqitur ndonjëherë, aty kishte përfaqësues të të përndjekurve politikë, si Besim Ndregjoni, i cili gëzonte mbështetje të gjerë të shtresës së tij dhe një kandidaturë e përkushtuar ditë dhe natë për të drejtat e njeriut ishte dhe veprimtari i shoqërisë civile, Altin Goxhaj. Ishin edhe juristë të njohur, të rinj, përfaqëues të gjeneratës së re si Dorian Gjokmarkaj dhe Ilir Dervishi.
Pra, ishin një numër i konsiderueshëm dhe të gjithë ata u hodhën poshtë vetëm pse Edi Rama nuk pranonte asnjërin prej tyre, përveç atij që donte vetë. Ajo që patë në këtë proces, ishte, do të thosha procesi më i turpshëm, me të cilin Edi Rama haptas kërkoi të pushtojë të vetmin institucion që ai nuk e kontrollon.
Në traditë, të këtij vendi dhe vendeve të tjera, është respektuar parimi i Avokatit të Popullit të emëruar nga opozita. Të gjithë ata që patën iluzion, se u fol për marrëveshje, Edi Rama përdori të njëjtën skemë si në rastin e zgjedhjes së presidentit. Bëri sikur po ia linte opozitës dhe në fakt u tall dhe nxori lakminë e tij të pafundme për pushtet dhe emëroi njeriun që deshi. Ky akt është dëshmi tjetër se monizmi përmbyset vetëm me revolucion”, tha Berisha.