“Borxhi i fshehur duhet të dalë në dritë”, Çoçoli: Numri i familjeve në kufijtë e varfërisë është shtuar
Fatos Çoçoli ekspert i ekonomisë në një intervistë për Ora Neës me gazetarin Everest Dedaj foli rreth situatës së vështirë ekonomike në të cilën gjendet vendi.
Edhe raporti i fundit i Eurostat flet për një situatë të vështirë ekonomike duke theksuar se të ardhurat për frymë në Shqipëri në vitin 2021 ishin më të ulëtat në rajon.
Por, pse po ndikon kjo drejtpërdrejtë te qytetarët shqiptarë?
Fatos Çoçoli: Raporti i fundit ndërkombëtar është një institucion i rëndësishëm i BE dhe tregojnë për vështirësitë që po kalon ekonomia jonë. Kanë të bëjnë me krizën e sjellë nga pandemia, rritjen e çmimeve dhe rritjen e çmimit të energjisë, karburanteve prej invazionit rus mbi Ukrainën dhe të gjitha këto nuk kanë se si të mos ndikojnë në ekonominë tonë. Të gjitha këto kanë sjellë që numri i familjeve në kufijtë e varfërisë të shtohet.
Çoçolit kujton vitin 2013 ku u morën 330 milion euro për të përballuar pagesat e detyrimeve të prapambetura ku shprehet se fondi duhej ta detyronte qeverinë që ta bënte një gjë të tillë.
Eksperti tha se “Fondi thotë që rreziku më i lartë vjen nga kontratat koncensionare të partneritetit publik privat”.
Fatos Çoçoli: Në vitin 2013 u morën 330 milion euro për të përballuar pagesat e detyrimeve të prapambetura. Ndoshta fondi duhej ta detyronte qeverinë, të reflektonte. Tani qeveria bën një vesh shurdhër dhe një sy qorr përpara kritikave. Fondi thotë që rreziku më i lartë vjen nga kontratat koncensionare të partneritetit publik privat. Gjithashtu duhet që qeveria të regjistrojë në bilancin e saj detyrimet ndaj PPP-ve. Duhet të regjistrojë dhe detyrime të tjera që janë të shumta si gjyqet e humbura të arbitrazhit ndërkombëtar, të ndërmarrjeve të ujësjellësve. Të gjitha këto nuk futen në bilancin e shtetit dhe duket sikur bilanci është i përballueshëm por ky është borxh i fshehur i cili duhet të dalë një ditë në dritën e diellit.
