Kapen “pronat e krimit” në Lushnje, “Julit të Pashakos” i konfiskohen 70 mijë euro, apartament e makinë
Prokuroria e Lushnjes kërkoi konfiskimin e pasurive të tre personave të dyshuar për akitivitet kriminal në këtë qytet. Julian Sulës, i njohur edhe si Juli i Pashakos, i dyshuar për atentatin ndaj nipit të Aldo Bares, autoritetet e drejtësisë i kanë marrë 70 mijë euro, një makinë luksoze dhe një apartament. Edhe dy personave tjerë të dyshuar prokuroria kërkon tu bllokojë apartamente dhe dyqane.
Prokuroria e Lushnjes ka sekuestruar pasuri të konsiderueshme në emër të personazheve të njohur të krimit në këtë qytet.
Në një njoftim zyrtar të shpërndarë nga Prokuroria e Përgjithshme thuhet se shtetasit Julian Sula, i cili njihet ndryshe si “Juli i Pashakos” i janë sekuestruar 70 mijë euro, një apartament 110 metra katror dhe një automjet luksoz Porsche.
Personat e tjerë të cilëve i janë sekuestruar pasuritë, janë edhe shtetasit Demir Licka dhe Fatmir Abdurramani.
Prokuroria bën me dije se hetimet ndaj tyre janë nisur në vitin 2021 dhe përfunduan në nëntor të këtij viti duke vendosur konfiskimin e pasurive të cilat nuk justifikohen me të ardhurat e ligjshme.
Julian Sula ose 'Juli i Pashakos' ishte nën hetim për vrasjen e Zamir Latifit në 2017-tën ku shënjestër ishte nipi i Aldo Bares, Xhulio Kurti.
Pas hetimeve të nisura ndaj tij në 2019-tën atij iu sekuestrua shuma prej 70 mijë eurosh dhe makina me vlerë 100 mijë eurosh ndërkohë që tashmë prokuroria kërkon konfiskimin e tyre.
Shtetasit Demir Licka, sipas prokurorisë duhet ti konfiskohet objekti 1-kat, me funksion lokal, me sipërfaqe ndërtimore 180m² dhe sipërfaqe parcele ndërtimore prej 1050,4m2, në lagjen "18 Tetor", qyteti Lushnje si dhe një automjet tip "Passat".
Ndërkohë të hetuarit të tretë Fatmir Abdurrahmani sipas prokurorisë, duhet ti sekuestrohen tri njësi shërbimi me sipërfaqe totale rreth 230 metra katrorë, dy apartamente me sipërfaqe 130 dhe 78 metër katrorë dhe një garazh 107 metër katyrorë.
Prokuroria bëri të ditur se sekuestrimi i këtyre pasurive është bërë sipas parashikimeve të ligjit “Antimafia”.
