SPAK “i merr” 7 prona gjyqtarit, Prokuroria kërkon konfiskimin e aseteve të Guxim Zenelajt
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në gjykatë konfiskimin e 7 pasurive të paluajtshme në emër të ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Guxim Zenelaj. Pasuritë në fjalë, përfshirë toka, apartamente dhe bodrume, janë sekuestruar aktualisht në kuadër të hetimeve që nisën ndaj ish-gjyqtarit për deklarim të rremë të pasurisë pasi ai u dorëhoq nga detyra para se ti nënshtrohej vetingut
Shtatë pasuri në emër të ish-anëtarit të Gjykatës së lartë Guxim Zenelaj, duhet të konfiskohen nga Gjykata e Posaçme.
Kjo është kërkesa e prokurorëve të SPAK-ut drejtuar togave të zeza me pretendimin se ish-gjyqtari i ka krijuar këto asete si tokë, dyqane dhe apartamente në mënyrë të paligjshme.
Prokuroria në një njoftim zyrtar tha se kërkesa për kalimin e pasurive në emër të shtetit ështe rezultat i procedimit të nisur në vitin 2021, në ngarkim të të pandehurit Guxim Zenelaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë.
Gjatë hetimit, ai është akuzuar për veprën penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Një sipërfaqe toke prej 1 mijë metra në Himarë, dy bodrume në Ishull-Lezhë, njësi tregtare po në këtë zonë dhe tri apartamente, janë sekuestruar me kërkesë të spak, dhe tashmë gjykata pritet të shqyrtojë kërkesën për konfiskimin e tyre me qëllim për ti kaluar përfundimisht në emër të shtetit.
Hetimet ndaj ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, nisën në fundin e vitit 2021, vetëm pak muaj pasi ai dha dorëheqjen nga detyra para se të përballej me komisionin e pavarur të kualifikimit për procesin e vetingut.
Të njëjtin fat duke u bërë objekt i hetimeve të SPAK, patën edhe gjyqtarë dhe ish-prokurorë të tjerë të dorëhequr si ish-kryetari i Gjykatës së Lartë Bashkim Dedja apo ish-kryeprokurori Adriatik Llalla.
