Sot seanca, priten debate në Kuvend për emërimin e anëtarit të ri në Kushtetuese

Kuvendi i Shqipërisë pritet të përfshihet në debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës.

Shkak është votimi i parashikuar në seancën plenare që do të mbahet pasditen e sotme i njërit prej tre kandidaturave të miratuara në Komisionin e Ligjeve për emërimin e një anëtarët të Gjykatës Kushtetuese.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi depozitoi në Kuvend një listë me 4 kandidatë të renditur sipas një pikëzimi të vlerësimit të tyre, nga të cilët sipas përcaktimeve ligjore Kuvendi voton një prej tre emrave të parë të listës.

Lista kryesohej nga Marjana Semini me 93.66 pikë, ndjekur nga Ardian Dvorani me 92.44 pikë, Gent Ibrahimi me 88.38 dhe Arta Vorpsi me 88.22 pikë. Por Ibrahimi tashmë e ka marrë mandatin dhe si rrjedhojë në garë është dhe Vorpsi.

Sa i përket procedurës ligjore të zgjedhjes, për tu bërë anëtar njëri prej kandidatëve duhet të sigurojë 84 vota në Kuvend.

Nëse asnjëri prej tyre nuk arrin këtë shumicë të cilësuar, atëherë anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese zgjidhet automatikisht kandidati i renditur i pari në listën e KED-së.

Gjatë kësaj kohe opozita e ka kundërshtuar me forcë propozimin e Ardian Dvoranit për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

Po ashtu në rend dite janë dhe projektvendimi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, për emërimin e një anëtari të bordit të ERE-s, apo ndryshimet në Kodin Rrugor.

Po ashtu, në rend të ditës janë dhe disa marrëveshje të fushës financiare si ai për ndryshimet në buxhetin e vitit 2022, ratifikimi i marrëveshjes së huasë, me Fondin Saudit për Zhvillim, për projektin e ndërtimit të lotit të tretë të rrugës Qukës-Qafa e Plloçë, ai për aderimin në iniciativën e përbashkët për rregulloren e brendshme për shërbimet e Organizatës Botërore të Tregtisë si dhe ai për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”.

Ndër të tjera në seancë pritet të miratohet dhe projektligji “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë” dhe atë “Për titujt e nderit dhe titujt vendore të nderit në Republikën e Shqipërisë” si dhe projektvendimi “Për zgjedhjen e Kryetarit të Autoritetit për lnformimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të shtetit”.