Zgjidhje për kufirin e ligjin e luftës, Dendias kërkon përshpejtimin e procesit në Hagë
Ministrat e jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë konfirmuan vendimin për dërgimin e çështjes së kufirit detar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Kreu i diplimacisë greke Nikos Dendias pas takimit me Olta Xhaçkën, kërkoi madje, përshpejtimin e këtij procesi ndërsa evidentoi se edhe zgjidhja e çështjes së ligjit të luftës do të ishte një nxitje për një hop të ri në mardhëniet mes dy vendeve
Shqipëria dhe Greqia kanë deklaruar në mënyrë zyrtare, se do ti drejtohen Gjykatës së Hagës, për të zgjidhur kufirin detar.
Pas rreth një orë takim në selinë e diplomacisë shqiptare, ministrja Olta Xhaçka dhe homologu i saj Nikos Dendias, u shprehën se do të nisë një tjetër epokë në marrëdhëniet mes dy palëve, çka do të sjellë një tjetër kuptim, në arenën ndërkombëtare.
“Kapërcimin e problemeve të trashëguara nga e kaluara historike. Një nga çështjet e trajtuara ishte dhe ajo e kufizimit të zonave detare, si një çështje me interes të dy vendeve tona. Kërkimin e një kompromisi që do të bënte të mundur referimin e çështjes, te Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë,” tha Xhaçka.
Një tjetër çështje e mbetur pezull mes dy vendeve është dhe ekzistenca e ligjit të luftës, të vendosur në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Deri tani, Athina nuk e ka konsideruar si problem edhe pse Kuvendi i Shqipërisë, ka tentuar më shumë se 15 vite më parë, të miratojë rezolutën për të kërkuar zgjidhjen e çështjes. Tashmë edhe Dendias premton heqjen e tij
“Zgjidhja e Ligjit të Luftës dhe dy marveshjet e tjera që njëra është për shmangjen e episodeve në kufi por edhe mirëmbajtja e piramidave kufitare,” tha Dendias.
Në deklaratë Dendias nënvizoi dhe takimet që zhvilloi në Kosovë dhe Serbi, ku diskutime duket se ka pasur edhe për barrikadat e vendosura prej 12 ditësh.
Nga Tirana, ai theksoi se çështja duhet të zgjidhet me dialog, duke nënvizuar rëndësinë e vlerave evropiane.
