Dumani në krye të SPAK, KLP përsëriti votimin për të qartësuar votat
Me 5 vota pro Altin Dumani u zgjodh shefi i ri i SPAK, duke zëvendësuar në këtë detyrë Arben Krajën.
Alfred Balla: Altin Dumani, 5 vota.
As vetë kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk e besoi. Dhe për këtë Alfred Balla u detyrua ta përsëriste dhe një herë votimin, ku u rikonfirmuan 5 votat për Altin Dumanin në krye të Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit.
Votimi i KLP-së tërhoqi vëmendjen edhe për faktin se 5 anëtarët që votuan Dumanit në krye të SPAK-ut, katër janë prokurorë, ndërsa Arta Mandro është pedagoge e Juridikut.
Ndërkaq, Edvin Kondili, mori votat e anëtarëve të KLP-së që vinin nga radhët shoqërisë civile.
Intervistat e kandidatëve zgjatën mbi 5 orë, teksa Yuri Kim mbërriti në KLP në momentin kur kishte nisur intervista e Edvin Kondilit, i fundit që u mor në ballafaqim.
Zgjedhja e kreut të SPAK prej disa ditësh ka marrë vëmendjen e opinionit publik dhe analistëve, të cilët kanë theksuar ndërhyrjen e politikës në këtë proces.
Por Yuri Kim zgjodhi ti përgjigjej nga salla e KLP-së vetë teorive konspirative.
Yuri Kim: E rëndësishme për këtë tranzicion është integriteti i procesit. Nuk jam një person që i bën gjërat e buta. Unë them atë që nënkuptoj dhe nënkuptoj atë që them dhe përfaqësoj politikën e SHBA-ve.
Kryediplomatja amerikane në Tiranë kërkoi si detyrë të vetme nga drejtuesi i ri i SPAK-ut që pronar të kishte vetëm ligjin.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

