SHBA dhe BE në Beograd më 17 dhjetor, Chollet dhe Escobar sot në Kosovë

Tensionet në rritje në very të Kosovës kanë shqetësuar të gjithë faktorin ndërkombëtar. Në përpjekje më 17 dhjetor do të zbarkojnë Këshilltarët e Kancelarit gjerman dhe Presidentit të Francës, si dhe emisari i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian do të zbarkojnë në Beograd. Ndërkaq, Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari i SHBA-së Gabriel Escobar, pritet të takojnë këtë të hënë në Prishtinë udhëheqësit e Republikës së Kosovës.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç  ka deklaruar se në Serbi më 17 dhjetor do të zbarkojnë Këshilltarët e Kancelarit gjerman dhe Presidentit të Francës, si dhe emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, si dhe negociatori i Bashkimit Europian për dialogun Serbi-Kosovë, Miroslav Lajçak.

“Do të jenë 4- 5 orë të bisedimeve të rëndësishme, deri atëherë do të provojmë ta ruajmë në çdo mënyrë paqen dhe do të japim gjithçka nga vetja”, ka thënë presidenti serb Vuçiç gjatë një intervistë në tv serb.

Ndërkaq i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar së bashku me Alyson Grunder, zëvendësshefe e Misionit në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë të dielën vizitoi Manastirin e Deçanit.

Kosovën, këtë të hënë pritet ta vizitojë edhe këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet. Vizitat e Escobar e Chollet në Kosovë vijnë në një kohë tensionesh në rritje në Veriun e Kosovës, ndërsa ndërkombëtarët kanë bërë thirrje për qetësim të situatës dhe që palët të dialogojnë.

Kjo ndërlidhet po ashtu edhe me njoftimin e kryediplomatit evropian, Josep Borell, se Prishtinës dhe Beogradit u është dorëzuar teksti i përditësuar i të ashtuquajturit plan franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve.

Sulmet në veri të Kosovës u rikthyen në kohën kur KQZ-ja po bënte përgatitje për zhvillimin e zgjedhjeve lokale në komunat veriore: Leposaviç, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok.

Zgjedhjet e parakohshme u shpallën pasi kryetarët e komunave dhe përfaqësues tjerë serbë u larguan nga vendet e punës në fillim të nëntorit, duke kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar qarkullimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Përfaqësuesit serbë, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, i kundërshtuan edhe zgjedhjet, që fillimisht u planifikuan për datën 18 dhjetor. Për shkak të situatës së tensionuar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i shtyu ato për në prill të vitit të ardhshëm.

Autoritetet e Kosovës akuzuan “bandat kriminale serbe, të udhëhequra nga Beogradi”, për disa incidente me armë zjarri dhe shok-bomba që ndodhën ditëve të fundit në veri.