Call Center: 1 në pranga, 14 në kërkim, shumica italianë. Policia: Vodhën 5 milionë euro përmes mashtrimit në vendet e BE

Nëntë shtetas italianë dhe 5 shqiptarë, administratorë të Call Center janë shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare nën dyshimin se kanë përfituar të paktën 5 milionë euro përmes skemës së mashtrimit me Foreks. Policia ka arrestuar vetëm njërin prej tyre, ndërsa 10 rezultojnë sipas TIMS se e kanë kaluar më herët kufirin.

Një person është arrestuar dhe 14 të tjerë janë shpallur në kërkim si administratorë të 15 Call Center, të cilët dyshohet se mashtronin përmes skemës së Foreks shtetasit e bashkimit Europian.

Mësohet se 9 prej tyre janë shtetas italianë, ndërsa 6 janë shqiptarë.  Nga hetimet e nisura nga krimi ekonomik, rezulton se ata kanë përfituar të paktën 5 milionë euro nga kjo skemë mashtrimi.

Në pranga e policisë shqiptare ka rënë vetëm një 30-vjeçar me iniciale A.L, ndërsa po vijon puna për kapjen e 4 të tjerëve të cilët ndodhen ende brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Ndërkohë, mësohet se pas verifikimit të sistemit TIMS, 9 italianët dhe 1 shqiptar rezultojnë se kanë kaluar kufirin para se organi i akuzës të lëshonte ndaj tyre urdhër-arrestet.

Hetimet ndaj tyre kanë nisur pas raportimit nga organet tatimore për aktivitete të dyshimta. E sipas burimeve policore, në llogaritë e tyre depozitoheshin shumat e  konsiderueshme të parave, të cilat tërhiqeshin në kesh dhe destinacioni final i tyre ende nuk dihet.

Ky nuk është rasti i pare që administratorët e Call Center arrestohen për mashtrim të qytetarëve të bashkimit Europian përmes skemës së Forex. Madje disa prej operacioneve janë zhvilluar edhe në bashkëpunim me autoritetet gjermane, italiane dhe spanjoll.


Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.