Festa përfundon në krim/ 25-vjeçari plagoset në ditëlindje, autori qëlloi dhe veten
Një festë ditëlindje përfundoi në krim në Fushë Krujë. Një 25 vjeçar u plagos nga shoku i tij i cili më pas qëlloi edhe veten. Veç autorit edhe dy të tjerë përfunduan në pranga pasi fshehën ngjarjen.
Një festë ditëlindje përfundoi me plumba.
Dy të rinj, një prej të cilëve festonte 25 vjetorin përfunduan në plagosur.
Ngjarja e rëndë që për pak prodhoi tragjedi u shënua mbrëmjen e së shtunës në Qerek të Fushë Krujës.
Burime thanë se 6 të rinj me njohje me njëri tjetrin ishin bërë bashkë në një lokal të zonës. Aty kishin konsumuar alkool.
Në rrethana të paqarta njëri ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar shokun që festonte 25 vjetorin.
Më pas në kushtet e tronditjes autori ka qëlluar vetën.
Njëri me plagë në shpatull e tjetri në dorë, të dy u dërguan për ndihmë mjekësore në Spital, ku autori u arrestua.
Në pranga përfunduan edhe dy prej shokëve.
Një pasi nuk kallëzoi krimin, ndërsa i dyti është pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja.
Ai akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës pasi fshehu armën dhe largoi gëzhojat nga lokali duke prishur vendngjarjen.
Policia dhe Prokuroria e Krujës ndërkohë thonë se po vijojnë hetimet për të zbuluar rrethanat e ngjarjes që rrezikoi ta kthejë festën në mort.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
