Barrikadat në veri, Gashi: Serbët bllokojnë rrugët sa herë marrin urdhër nga Beogradi
Tensionet në veri të Kosovës pas arrestimit të ish-zyrtarit serb të policisë së Kosovës për sulmet ndaj KKZ-ve detyruan presidenten, Vjosa Osmani, të shtyjë zgjedhjet në veri për 21 prill 2023.
Kreshnik Gashi redaktor i "Kallxo.com" në një intervistë për Rtv Ora thotë se vendosja e barrikadave nga serbët në veri bëhet me urdhër të Beogradit.
" Janë njerëz që nëse marrin urdhër prej qeverisjes së Serbisë do dalin në rrugë, nëse nuk marrin urdhër nuk dalin. Protestojnë se është arrestuar një kriminel".
Ai komentoi edhe vendimin e Osmanit, duke deklaruar se presidentja u ngut kur shpalli datën e zgjedhjeve në veri e po ashtu dhe sot me vendimin e fundit për shtyrjen e tyre.
Zgjedhjet për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, fillimisht ishin caktuar të mbaheshin më 18 dhjetor.
Por, që nga 6 dhjetori në veri të Kosovës janë shënuar disa incidente të armatosura. Ndërkaq, të shtunën serbët lokalë nisën që të bllokonin disa rrugë atje.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
