Tensionohet situata në veri, pas arrestimit të një ish-polici serb

Sipas informatave që ka siguruar Radio Evropa e Lirë nga terreni, në Rudarë janë parë katër kamionë dhe tetë automjete të ambulancës, ndërsa aty janë grumbulluar burra të maskuar dhe gra.

Për këto zhvillime është raportuar pak orë pas arrestimit të ish-zyrtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, konfirmoi se ish-zyrtari policor serb, Dejan Pantiq, është arrestuar në pikëkalimin kufitar në Jarinjë.

Sipas tij, Pantiq “ka organizuar sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor, kur “ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë”.

“Pantiq akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues”, tha Sveçla.

Serbët lokalë ngritën barrikada në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok më 10 dhjetor, për shkak të arrestimit të ish-policit Pantiq, sipas REL.

Pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës – së bashku me zyrtarët e tjerë në nivelin lokal, sistemin e drejtësisë dhe institucione të tjera – dhanë dorëheqje në nëntor në shenjë pakënaqësie ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.