Kosova shtyn zgjedhjet në veri, Osmani: Procesi do të zhvillohet më 23 prill të vitit 2023

Zgjedhjet në veri të Kosovës do të zhvillohen më 23 prill të vitit të ardhshëm. Shtyrja e tyre duke anuluar datën 18 dhjetor është bërë nga presidentjaVjosa Osmani. Ajo tha se policia ka kapacitet për të kontrolluar situatën, por qytetarët nuk do të jenë të lirë për shkak të bandave serbe që veprojnë atje. Vlora Çitaku akuzoi qeverinë se ka dështuar në krijimin e kushteve për zgjedhje. Në shenjë proteste për arrestimin e një ish-polici, serbët bllokuan rrugët në Rudarë e Leposaviq, ndërsa në Mitrovicë u dëgjuan sërish sirenat e alarmit.

Presidentja e Kosovës,Vjosa Osmani, njoftoi anulimin e zgjedhjeve të 18 dhjetorit në veri dhe shtyrjen e tyre për në 23 prill të vitit që vjen, për shkak të incidenteve dhe situatës së tensionuar të muajve të fundit.

Ajo shtoi se policia e Kosovës ka kapacitete për kontrollin e situatës, porse bandat serbe sipas saj, kërcënojnë procesin e lirë të zgjedhjeve.

“Në mënyrë që të sigurojmë pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në këto zgjedhje, vëzhgim nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe kohë të mjaftueshme për institucionet e sigurisë që të bëjnë edhe përpjekje e të ndërmarrin veprime shtesë për rend dhe ligj në veri në vendit, vlerësoj që shtyrja është e nevojshme" tha Osmani.

Presidentja Osmani i bëri këto deklarata pas takimit me përfaqësuesit e partive politike, përfshirë kryeministrin Albin Kurti.

Në takim mungoi AAK-ja, e cila e ka vlerësuar të panevojshme pjesëmarrjen.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte caktuar 18 dhjetorin si datë për zgjedhjet për kryetar të komunave dhe 25 dhjetorin për zgjedhjet e asambleve komunale.

Por incidentet e fundit dhe situata e tensionuar në veri bashkë me thirrjet e SHBA duket se janë bërë shkak për shtyrjen.

Pasditen e të shtunës, në Mitrovicë janë dëgjuar sërish sirenat e alarmit ndërkohë që serbët kanë bllokuar rrugët me vendosjen e mjeteve të rënda në Rudarë në afërsi të Zveçanit dhe në Leposaviq.

Vlora Çitaku nga PDK-ja, deklaroi pas takimit me presidenten Osmani se qeveria e Kosovës ka dështuar për të krijuar kushte për mbajtjen e zgjedhjeve, por shtoi se nuk ka dorëzim para bandave serbe.

“Kemi pasur situata të tilla edhe më herët. Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të koordinohen ngushtë me NATO-n dhe mos të lejojnë që veriu i vendit të merret peng nga bandat kriminale”, tha Çitaku.

Bllokada të rrugëve në Leposaviq dhe Zubin Potok- të dyja komuna me shumicë serbe, sipas raportimeve ka ndodhur në shenjë proteste për arrestimin e një ish-polici serb.

Ministri i Brenshëm, Xhelal Sveçla, tha se i ndaluari të shtunën në pikën kufitare në Jarinjë është ish-zyrtari policor, Dejan Pantiq, i cili akuzohet se ka organizuar sulmin terrorist në zyrat e KKZ-së në veri të vendit.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.