Reagon dhe Rama: Dënoj dhunën mbi organizatorin dhe udhëheqësin e protestës së sotme
Pas presidentit Begaj ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama lidhur me sulmin fizik të kreut të PD-së, Sali Berisha, në protestën e opozitës.
Në një deklaratë të lëshuar nga zyra e shtypit të kryeministrisë, thuhet se kryeministri Rama dënon pa asnjë ekuivok aktin e pajustifikueshëm e të patolerueshëm të dhunës mbi organizatorin dhe udhëheqësin e protestës së sotme.
Sipas shefit të qeverisë, dhuna s’ka qenë, s’është e s’do jetë kurrë një mjet për të adresuar çfarëdo çështje apo shqetësimi dhe kushdo e përdor këtë mjet duhet të përballet me të gjithë forcën e ligjit.
Sali Berisha u godit sot nga një qytetar me grusht në fytyrë sapo doli nga selia e Partisë Demokratike për t'ju bashkuar protestuesve.
Ekipi i sigurisë së Berishës arriti të ndalte personin që policia e identifikoi si Gert Shehu. Më pas ai u shoqërua nga zyrtarët e rendit.
Në lidhje me incidentin, policia në Tiranë tha se “nga verifikimet paraprake rezulton se 31-vjeçari ka precedentë të mëparshëm kriminal për plagosje, prishje të qetësisë publike dhe në fushën e narkotikëve”.
Policia tha po ashtu se sipas diagnozës klinike, që familjarët e 31 vjeçarit kanë vënë në dispozicion për autoritetet, ai vuan nga çrregullime psikotike dhe prej vitesh trajtohet për këtë.
Personi që sulmoi Berishën gjendet në Spitalin e Traumës në Tiranë për shkak të plagëve të marra, pasi u godit nga disa protestues.



