Presidenti Begaj dënon sulmin ndaj Berishës: Akt i papranueshëm, të zbardhet rasti

Sulmi fizik ndaj kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë protestës së kësaj të marte ka shkaktuar reagimet e gjithë aktorëve të politikës në vend. Rama dhe Basha dënuan sulmin. Reagimeve i është bashkuar edhe Ambasada e ShBA-së në Tiranë, e cila kërkoi hetimin e plotë të këtij incidenti.

Dhuna ndaj kreut të opozitës, Sali Berisha, pak minuta para se ai të ngjitej në foltoren e protestës anti-qeveritare në ditën që në Tiranë mbahej samiti i nivelit të lartë mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor është dënuar me forcë nga të gjithë aktorët politikë në vend.

Presidenti Bajram Begaj dënoi ashpër sulmin fizik të ndodhur gjatë protestës së opozitës dhe inkurajoi autoritetet të hetojnë këtë rast.

"Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, dënon ashpër sulmin fizik të ndodhur gjatë protestës së sotme të opozitës ndaj z. Sali Berisha, Deputet i Kuvendit, ish-President dhe ish-Kryeministër i Republikës.Presidenti Begaj i konsideron këto akte të papranueshme dhe që bien ndesh me parimet e demokracisë dhe zhvillimin e protestave paqësore.

Kreu i Shtetit inkurajon autoritetet të hetojnë këtë rast dhune dhe të zbardhin sa më shpejt dinamikat e ngjarjes. Liria e fjalës dhe tubimeve paqësore janë e drejtë kushtetuese dhe si të tilla duhet të garantohen dhe mbrohen" thuhej në deklaratë.

Pavarësisht akuzave të Berishës që e cilësoi si organizatorin kryesor të sulmit fizik, kryeministri Edi Rama reagoi dhe tha se dënon pa asnjë ekuivok aktin e pajustifikueshëm e të patolerueshëm të dhunës dhe se kushdo që përdor dhunën si mjet të përballet me të gjithë forcën e ligjit.

Edhe pse është shpallur non grata nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ambasada e këtij vendi në Tiranë e dënoi dhunën ndaj kryedemokratit Sali Berisha gjatë protestës së opozitës këtë të martë.

Një zëdhënës i ambasadës së ShBA-ve është shprehur se janë skandalizuar nga një veprim i tillë ndaj një deputeti të Kuvendit.

“U skandalizuam nga sulmi fizik sot ndaj një anëtari te parlamentit dhe presim qe autoritetet ta hetojnë plotësisht incidentin. Askush nuk duhet sulmuar sepse ushtron lirinë e fjalës në përputhje me ligjin”, shprehet zëdhënësi i ambasadës.

Sulmi fizik ndaj kreut të PD-së është dënuar edhe nga ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha, kreu i grupit parlamentar demokrat Enkelejd Alibeaj, si dhe deputeti Gazment Bardhi, të cilët kërkuan hetimin e ngjarjes, duke theksuar se dhuna nuk mund të jetë kurrë zgjidhje.

Goditja me grusht ndaj z. Berisha ka bërë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare.

Agjencia britanike e lajmeve Reuters shkruan se udhëheqësi i opozitës shqiptare Sali Berisha u godit me grusht në fytyrë nga një kalimtar teksa drejtonte turmën e mbështetësve të partisë së tij në qendër të Tiranës për protestën antiqeveritare që po zhvillohet disa metra larg vendit ku po mbahet samiti i BE-së.