Marrëveshja Roaming me BE-në, Bregu: Puna vazhdon deri në uljen e tarifave me ato kombëtare

Majlinda Bregu mori pjesë sot në samitin e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor gjatë finalizimit të marrëveshjes së heqjes së tarifave Roaming mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Në një intervistë për RTV Ora ajo u shpreh se ky ishte finalizimi i një pune dhe objektivi që do tu ofrojë qyetarëve mjaft lehtësira në vendet e BE-së.

Majlinda Bregu: Ka qënë një nga objektivat për heqjen e tarifave Roaming nëpërmjet Ballkanit Perëndimor. Sigurisht që ishte një proces i nisur më parë por u konkludua me sukses, ne udhëtojmë, flasim jemi në internet pa tarifa në të gjithë Ballkanin Perëndimor prej 1 korrikut të 2021.

Madje kemi folur 11 herë më shumë me njëri-tjetrin brenda Ballkanit Perëndimor sesa me Europën. Pikërisht prej kësaj sfida më e madhe dhe më e vështirë ishte nisja e procesit të uljes së tarifave Roaming me BE.

Për të gjithë qytetarët e rajonit nga 1 tetori i këtij viti do të kenë mundësi që tarifat e tyre të lundrimit në internet, postime Instagrami, foto nga Roma e Parisi apo telefonat do të kushtojnë shumë herë më pak. Nuk do të ndalemi këtu pasi gjatë gjithë këtij procesi ne duhet të vijojmë derisa të mbërrijmë në mospërdorim të tarifave shtesë në Roaming, deri në nivelin e tarifave kombëtare. Pra paketën që kam në Tiranë të kem mundësi ta përdor me të njëjtën kosto kudo që udhëtoj në Europë.

I mori 10 vjet BE-së për të bërë Roamingun nëpërmjet 27 vendeve të tyre. Ne po e bëjmë në një kohë shumë të shkurtër.

Besmira Pelushaj: Domethënia e këtij samiti kaq të rëndësishëm në Tiranë dhe a lidhet ky samit e kjo mbledhje me përshpejtimin e procesit të integrimit për Shqipërinë?

Majlinda Bregu: Po pyet një njeri që vitet e saj të karrierës i ka kaluar duke shpenzuar për afrimin e Shqipërisë me BE, këto vitet e fundit Ballkanin Perëndimor me BE. Sigursiht që lajmi se BE organizon një samit në ballkanin Perëndimor është një lajm shumë i mirë. Është një moment shumë i mirë që ne të afrohemi me Europën duke patur mundësi të aplikimit të politikave europiane dhe modelit europian në vendet tona që po bëhet realitet.

Kemi firmosur tre marrëveshje të tjera që u japin mundësi qytetarëve të lëvizin vetëm me kartë identiteti në rajon, i japin mundësi studentëve të njohin diplomat pa pagesa shtesë. I japin mundësi tre profesioneve të para që në rast se gjejnë një punë nga një vend i Ballkanit në një tjetër, të mos nisen të gjithë të marrin rrugën drejt Gjermanisë apo edhe jashtë BE, në Londër.

 Jam e bindur se përshpejtimi i procesit të integrimit e anëtarësimit të vendeve tona në BE është kjo që po ndodh. Ky proces ku ne arrijmë të sjellim e zbatojmë e të jemi në të njëjtën skemë me politikat që BE aplikon për veten. Sikurse e kemi për energjinë tashmë, apo dhe për sigurinë ushqimore etj.

Besmira Pelushaj: Vetë ju personalisht si ndiheni sot që i mirëprisni?

Majlinda Bregu: Unë nuk po i mirëpres, unë jam e mikëpritur sot por sigurisht që jam në shtëpinë time dhe shpresoj shumë që ky të jetë një moment jo zgjimi, por i një zgjimi pak më të gjatë.