Rama: Samiti i 6 dhjetorit historik, i bindur se do të jetë dhe Vuçiç

Kreu i qeverisë Edi Rama thotë se samiti i cili do të zhvillohet në datë 6 dhjetor në Tiranë është i një rëndësie të madhe.

Edi Rama: Samiti i dhjetorit është historik. Nuk është një stacion i zgjedhur kështu rastësisht, është një stacion i zgjedhur në një mënyrë shumë të mirëmenduar. Ndërkohë, ne po përgatitemi për këtë samit për të luajtur ndërkohë edhe rolin tonë, si Shqipëri, por edhe si rajon pa diskutim siç jemi përpjekur gjithmonë.

Në këtë samit do të marrin pjesë liderat e BE dhe vendeve të rajonit së bashku me delegacionet e tyre. 

Edi Rama: 27 liderë të BE me delegacionet e tyre, por edhe delegacionet e vetë Brukselit, delegacioni i Presidentit të Këshillit Europian, delegacioni i presidentes së Këshillit Europian, pa harruar 5 liderët e tjerë që vijnë nga rajoni me delegacionet e tyre, pa harruar dhe delegacionet e institucioneve të tjera ndërkombëtare që janë të përfshira.

Rama deklaroi se përveç kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez, i cili nuk do të jetë i pranishëm pasi qëllon në ditën e Kushtetutës, të gjithë liderët e tjerë do të jenë pjesëmarrës në samit.

Presidenti i Serbisë Vuçiç më herët është shprehur se nuk do të marrë pjesë në këtë samit dhe ende nuk dihet nëse do të ketë përfaqësi nga ky vend.

Por Rama u shpreh se është i sigurtë se Serbia do të marrë pjesë në Samit.

Edi Rama: Serbia do të jetë në Samit dhe presidenti i Serbisë nuk ka asnjë rrugë tjetër përveçse të vijë në Samit, ua them këtë me bindje. E kundërta do të ishte katastrofë për Serbinë dhe për atë vetë natyrisht.

Në një organizim dhe samit të tillë është e nevojshme dhe marrja e masave të nevojshme sa i përket sigurisë. Por opozitarët kanë njoftuar për protestë këtë ditë dhe kanë kërkuar mbajtjen e protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ndërsa nga policia iu është thënë që të mbahet në sheshin Skenderbej.

Rama shprehet se siguria e samitit nuk negociohet me askënd.

Edi Rama: Këtu jemi në kushtet që siguria e samitit nuk negociohet me askënd dhe jam i bindur që askush nuk do ta provojë që ta thyejë perimetrin e sigurisë, jam i sigurt për këtë, se është pa sens, pa kuptim, se është një çmenduri e një niveli që edhe çmendurakëve për të cilët flasim, nuk u shkon.

Ai mendon se nuk do të ketë incidente.

Edi Rama: Unë nuk besoj se do të kemi incidente. Samiti ka kohë që organizohet. Është një nga ato organizime që përfshijnë shumë institucione dhe asnjë lidhje me asgjë tjetër përveçse me vazhdimin e një misioni që tanimë, për ata që duan të shikojnë është një mision i qartë, i zbuluar në sytë e të gjithëve. Është e njëjta forcë e cila është paguar me para ruse, për të rrëzuar qeverinë e këtij vendi e ky është një fakt.

Kreu i qeverisë thotë se pjesa më e tmerrshme e protestës që do të mabahet është njollosja e qëllimshme e Shqipërisë.

Edi Rama: Pjesa me e tmerrshme të gjithë kësaj që është njollosja e qëllimshme e një dite, e një ngjarje, për të tërhequr vëmendjen për halle personale e nga ana tjetër, për të mos e lënë Shqipërinë që të lulëzojë atë ditë në të gjitha mediat ndërkombëtare por patjetër të ketë nga pas dhe një ferrë, që po, ishte ky samiti por ishin dhe ca të tjerë që protestonin për narkoshtetin. Domethënë mblidhet gjithë BE-ja në një narkoshtet. Një  çmenduri.