Bumçi: Drejtohemi nga një despot! Europa nuk ka problem protestën, i vetmi i shqetësuar Edi Rama

Ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Besmira Pelushaj thotë se 6 dhjetori është një moment historik që Europa të njihet me gjendjen reale ku ndodhet vendi jonë.

Bumçi: Ne drejtohemi nga një despot, sulltan dhe sulltanatet nuk janë pjesë e sistemi demokratik europian.E vërteta duhet thënë dhe ky është një moment historik ku liderët europianë, mediat që do të vijnë të pasqyrojnë ngjarjen të pasqyrojnë dhe këtë të vërtetë.

Bumçi thotë se Europa dhe BE nuk kanë asnjë problem me protestën dhe se ky është një shqetësim vetëm i Ramës.

Bumçi: Ka vetëm një njeri të shqetësuar nga protesta, ky është Edi Rama dhe jo europianët. Fakti që fillojnë një fushatë denigrimi të opozitës si tradhtare, të lodhur me rusët, detyruan delegacionin europian të dilte me një deklaratë ku kërkoi që të respektohej e drejta e tubimit. Europa nuk ka asnjë problem me protestën.

Çështjet e Europës që ajo ka shqetësim për Shqipërinë, janë çështjet që ne kemi shqetësim. Ka shqetësim mungesën e lirive themelore të drejtave të njeriut, demokracisë, lirisë së medias dhe probleme të tjera si porti i Durrësit që BE thotë shkel MSA, pasaportat e arta dhe amnistinë fiskale deri në 2 mln euro. Ne jemi në të njëjtën linjë me Europën. Protesta do të jetë europiane dhe paqësore.

Lidhur me primaret në PD, ish-deputeti thotë se janë një frymëmarrje demokratike në një vend ku vota po zhduket.

Bumçi: Jemi të bindur që deri në zgjedhje lokale do ndërtojmë koalicionin më të madh që ka ekzistuar ndonjëherë. Shqipëria duhet të shpëtojë dhe nuk e meriton më këtë njeri të jetë kryeministri i vendit, të shkatërrojë vendin dhe ti detyrojë të largohen si sirianët.

Nesër më 4 dhjetor do të zhvillohen votimet për primaret në Partinë Demokratike që do të nxjerrin më pas kandidatët që do të përfaqësojnë selinë blu në zgjedhjet e 14 majit.

Deri më tani janë deklaruar më shumë se 200 emra të cilët kanë marrë pjesë në primaret e PD.

Fushata elektorale ka zgjatur mbi 10 ditë dhe kandidatët kanë paraqitur platformat e tyre.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.