Ndoka: Brenda perimetrit të mbrohen Samiti dhe protestuesit, tensione vetëm nëse provokon policia

Policia e bëri sot të qartë se nuk ka protestë në bulevard me 6 dhjetor por opozita mbetet e vendosur për ta zhvilluar aty.

Ndoka: Protesta është e ligjshme dhe nuk ka nevojë për leje, bëhet një njoftim dhe kaq. Brenda perimetrit të sigurisë do jetë dhe protesta. Brenda perimetrit policia mbron Samitin dhe protestuesit.

Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, në një intervistë për Ora News me gazetaren Katerina Hysenllari, thotë se nuk kishte moment më të gjetur për opozitën sesa dita e mbajtjes së Samitit mes liderëve të BE dhe Ballkanit Perëndimor.

Ndoka: 6 dhjetori është një datë e gjetur, më e mira e mundshme. Qëllimi i protestës është për të sensibilizuar opinionin, qoftë atë ndërkombëtar apo vendas. Këto liderë që vijnë në Tiranë duhet ta shohin realisht situatën politike jo vetëm përmes këtyre të dërguarve që kanë në Tiranë. Protesta për ta është element demokracie, nuk e kanë bezdi si Rama. Nuk shoh asnjë problem.

Ai përjashton tensionet nëse policia nuk provokon.

Ndoka: Nuk besoj se do ketë përplasje, nuk ka arsye, vetëm nëse do ketë provokime nga policia. Policia nuk mund të pengojë qytetarët dhe opozitën të protestojë.Dhe policia ka një lloj ndërgjegjësimi, nuk është terësisht në thundrën e Ramës. Kanë ligjin sëpari. Është policia e shtetit dhe jo e Rilindjes. Edhe Rama nuk është nga ata trima që të bëjë provokime në atë ditë dhe situata të dalë nga kontrolli.

Një koment pati edhe lidhur me procesin gjyqësor të PD mbi siglën dhe vulën e partisë.

Ndoka: Habitem me qëndrimet që ka mbajtur PD, Berisha si kryetar i saj, kanë treguar tolerancë maksimale si ndaj sistemit të drejtësisë që pretendojmë të jetë i pavarur dhe jo nën thundrën e kryeministrit dhe të mbajë peng partinë më të madhe të opozitës, është absurde. Rast unikal në këto 30 vite. Kjo e dëmton PD, e mban të hapur zjarrin e përçarjes. Sekti Alibasha me kandidatët e saj, në Kuvendin e Shqipërisë. Dihet që e ka peng Lulzim Bashën. Luan Edi Rama dhe për Bashën, i mban me shpresa se do ti japë siglën dhe vulën një minorance. PD ka tani të gjitha institucionet, është e testuar me vota.

Ndoka thotë se nëse do ketë shtyrje tjetër të vendimit nga gjykata, atëherë do ketë përballje të PD në mënyrë institucionale me Ramën.

Ndoka: Opozita duhet të reagojë fort për të larguar këtë person që po i bën dëme të jashtëzakonshme vendit.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.