Rama tregon pse nuk shpallet gjendja e emergjencës në Shkodër, Durrës e Lezhë
Qeveria nuk do të pranojë kërkesën e PD-së për shpalljen e emergjencës civile në 3 qarqet, Shkodër, Lezhë dhe Durrës të prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit. Rama në interpelancën e thirrur nga deputeti Ferdinand Xhaferi tha se nuk mund të shpallet gjëndja e emergjencës për 30 banesa nën ujë ndërsa vijoi të akuzojë mediat se nuk tregojnë të vërtetën.
Akuzave për keqmenaxhim të kaskadave opozita i bashkoi vetë reagimet që kryeministri Rama ka dhënë 11 vite më parë për përmbytjet në Shkodër në kohën e qeverisjes së Berishës.
Ferdinand Xhaferaj nga foltorja e Kuvendit ka paraqitur dy momente kur në atë kohë Rama në opozitë bënte përgjegjëse opozitën e kohës.
"Me këto video tregon sesi Rama i ri i viteve më parë i flet sot Ramës lidhur me çështjen e përmbytjeve. Kërkojmë përgjigjet e kryeministrit ku është çeta e kusarëve?"
Përkundrejt kësaj, në interpelancën urgjente kreu i qeverisë theksoi se situatat nuk janë të barabarta ndaj dhe kundërshtoi shpalljen e emergjencës natyrore.
“Për çfarë të shpallim emergjencë natyrore për 30 banesa që kishin prezencë uji e nuk e kanë më?! Ferdinand fotografitë nuk janë live Cilësia e diellit është live. Uji ka nisur të kullohet. Kemi pastruar mijëra kanale kalluese. Është një agjenci kombëtare e emergjencave civile. Kemi një strukturë që ngrihet me sustë në këmbë e nuk shkon me shapka e me varka teneqeje.
Jemi futur në mekanizmin e europian të emergjencave civile dhe nëse ka emergjencë futet në veprim I gjithë mekanizmi. Çfarë ti themi që kemi 30 shtëpi me prezencë uji dhe kemi çimi.net që thotë se janë 30 mijë e hajdeni shpejt se do thajmë Çimin. Nuk e bëjmë dot. Ju të heqni mëndjen. Duhet të kesh dy, një ta mbash e një ta cash.”
Nga jashtë sallës së Kuvendit ishte Berisha që akuzoi për shkarkimet nga Komani dhe Vau i Dejës pa lajmëruar popullatën.
"Kishte vetëm dy qëllime kryesore, së pari përmbytjen t'ja faturonte jo hapjes së digave dhe kaskadës e cila pastaj me ligj bëhet përgjegjëse për dëmshpërblimin e banorëve. Së dyti, të fshehte faktin se nuk prodhoi për ditë të tëra energji elektrike."
Sipërfaqja e tokës së përmbytur në Shkodër këtë të enjte ra në 1130 hektarë.
Për herë të parë më e ulët se në Lezhë ku rreth 1300 hektarë janë ende nën ujë.
