Tiranë/ Arrestohet administratori dhe operatorët e "call center" tek rruga "Faik Konica"

Tjetër operacion në kuadër të luftës së mashtrimit të shtetasve të huaj përmes call centerit.

 Policia e Tiranës ka arrestuar admininstratorin e subjektit call center tek rruga “Faik Konica” dhe 5 operatorë ndërsa është shpallur në kërkim administratori tjetër i subjektit dhe një operator është në procedim penal.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar dy administratorët së bashku me operatorët telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex, informoi sot policia e Tiranës.

Gjatë operacionit u sekuestruan 6 njësi kompjuterike, USB, aparate celulare dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:   - E. N., 25 vjeç, banues në Tiranë, administratori subjektit call center; - K. Gj., 25 vjeç, Sh. F., 26 vjeç, A. Sh., 20 vjeç, K. K., 20 vjeç dhe H. S., 26 vjeç, të pestë banues në Tiranë, të punësuar si operatorë në këtë subjekt.

Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim administratori tjetër i këtij subjekti, shtetasi P. A., 29 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu u procedua penalisht shtetasja D. K., 26 vjeçe.

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 6 njësi kompjuterike, USB, aparate celulare dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.

Operacioni policor u kodua "Fraud".