Marka: Nga 680 mijë pensionistë, 395 mijë marrin nën minimumin jetik, do ta çojmë nismën në Kuvend

Në “Ora e Betit” në RTV Ora, nga Beti Njuma, pedagogu Jani Marka u shpreh se ka studime se për një person duhet rreth 200 mijë lekë të vjetra për të jetuar në minimumin jetik.

Ai tha se nga 680 mijë pensionistë që jetojnë në vend, rreth 395 mijë marrin pension nën minimumin jetik, ndërsa janë 60 mijë familje me 80 mijë lekë në muaj asistencë.

Marka: Sfida është se si duhet ta ndërrojmë këtë qeveria. Ne kemi shumë për zemër minimumin jetik dhe ka studime se për një person duhet rreth 200 mijë lekë të vjetra për të jetuar në atë kufirin e poshtëm. Nga 680 mijë pensionistë që jetojnë në vend, rreth 395 mijë marrin pension nën minimumin jetik.

Këtë gjë nuk e shohim tek buxheti i ardhshëm se si do të indeksohet kjo gjë. Janë 60 mijë familje që marrin ndihmë ekonomike deri në 60-80 mijë lekë të vjetra. Ne jemi pothuajse në fund, kemi mbledhur rreth 19 mijë firma dhe do t’i dërgojmë në kuvend një projektligj ku shteti të njohë minimumin jetik.