Shkodra “po thahet” para Lezhës/ Uji po tërhiqet, por mijëra hektarë tokë ende të përmbytura

Uji nga zonat e përmbytura në Shkodër po tërhiqet më shpejt se në Lezhë. Pavarësisht ndërprerjes së reshjeve në disa zona situata ende mbetet problematike.

Sipërfaqja e tokës së përmbytur në Shkodër këtë të enjte, ra në 1130 hektarë, për herë të parë më e ulët se në Lezhë, ku rreth 1300 hektarë janë ende nën ujë.

Me ndërprerjen e reshjeve, uji po tërhiqet, por në disa zona situata ende mbetet problematike.

Në rrugën e Obotit në Shkodër, deri në mesdite kishte rreth 25 centimetra ujë, çka e bënte të kalueshme vetëm për mjetet e ushtrisë. Dy ujësjellësit Oblika 1 dhe 2, mbeten jashtë funksionit.

Nuk raportohet për banesa me prani uji, por 7 familje ende nuk janë rikthyer në shtëpitë e tyre, pas vërshimit të ujit.

Lumejt Buna dhe Drin, kanë zbritur nën nivelet kritike.

Në fshatin Kakarriq të Lezhës ka ende ujë në oborret e banesave të përmbytura, dhe lëvizje bëhet vetem me çizme.

Banorët thonë se përmbytja u shkaktoi dëme të mëdha.

“Pash Zotin, dhe gjendjen psikologjike na ka dëmtuar. Ka rën 30 centimetër niveli,” tha një banore.

Në Mirditë një banesë dy katëshe rrezikohet nga rrëshqitja e dherave, fenomen që ka dëmtuar rrugët dhe në fshatrat e Bashkisë Pukë.

580 pako ushqimore dhe 15 tonë bazë ushqimore për bagëtitë, janë shpërndarë në Shkodër, 150 në Pukë ,100 në Vaun e Dejës dhe 320 në Malësi të Madhe, sipas të dhënave, nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile.