Porti i Durrësit, BE po monitoron marrëveshjen me Emiratet Arabe
Bashkimi Europian ka anuluar projektin financiar prej 28 milionë eurosh si pjesë e Fondit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, me qëllim rikonstruksionin e Kalatave 1 & 2, në Terminalin Perëndimor të Portit.
Në përgjigjen e zyrës së BE-së në Tiranë thuhet se “sa i përket marrëveshjes tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, BE-ja do të vazhdojë të monitorojë rëndësinë për MSA-në dhe pajtueshmërinë me të, në dialog me institucionet shqiptare”.
Edhe në gusht të këtij viti delegacioni i BE-së në Shqipëri i kërkoi Qeverisë më shumë qartësi dhe transparencë në lidhje me marrëveshjen me kompaninë arabe sa i përket projektit të marinës në Portin e Durrësit.
Projekti i investitorit nga Dubai, Mohamed Alaabar, për Marinën e Jahteve në Portin e Durrësit ka sjellë përplasje në politikën shqiptare.
Sipas opozitës, shkelet marrëveshja e MSA-së si dhe pas projektit fshihen interesat personale të kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Pak ditë më parë kreu i grupit të PD-së, Enkelejd Alibej bëri të ditur se për këtë çështje i është drejtuar me një letër ambasadës së BE-së në Tiranë dhe komisionarit Oliver Varheyli.
Marrëveshja për portin e Durrësit kalon të enjten për votim në Kuvend.
