Shkodër/ E deportoi Belgjika, 39 vjeçari me shokë vidhte me dhunë banesat në Shkodër
Një shtetas i shpallur në kërkim për vjedhje me dhunë, në disa banesa, të shumave të mëdhaja të parave (në lekë dhe në paund) dhe të sendeve me vlerë është arrestuar nga policia e Shkodrës.
39 vjeçari Pashuk Fusha banues në fshatin Bardhaj të Shkodrës, ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vjedhje me dhunë.
Vjedhja e fundit për të cilën dyshohet ka ndodhur më 25 shtator 2022 në fshatin Kosmaç, Vau i Dejës. “Në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë vjedhur me dhunë, në banesën e shtetases A. J., 46 vjeçe, 1500 paund, bizhuteri dhe sende të tjera, me vlerë” informoi sot policia.
Ndërkohë pas ndalimit të 39 vjeçarit është bërë e mundur zbardhja e disa vjedhjeve të tjera me dhunë, të cilat dyshohet se janë kryer nga ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, dhe konkretisht:
•Më datë 11.09.2022, në lagjen “Manush Alimani”, Shkodër, ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë hyrë me forcë, në banesën e shtetases F. D., dhe i kanë marrë një shumë parash.
•Më datë 23.10.2022, gjatë natës, në lagjen “Skenderbeg”, Shkodër, ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë hyrë me forcë, në banesën e shtetasit R. B., 59 vjeç, ku kanë marrë me dhunë, rreth 600 000 lekë dhe sende me vlerë.
Pashuk Fusha ishte deportuar nga Belgjika pasi kishte kryer dënimin për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Gjithashtu 39-vjeçari është edhe me precedent të theksuar kriminal, për vjedhje me armë dhe me dhunë, në Shkodër dhe në Lezhë, në periudhën kohore 2009-2014, ku dhe ka kryer disa vite burgim.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë, bashkëpunëtorë të këtij shtetasi, si dhe për zbardhjen e dokumentimin e vjedhjeve të tjera të ndodhura ndër vite, që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë.