Orë vendimtare pë targat, Kurti: SHBA në kontakt me Brukselin për situatën në veri të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të martën se ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, është shumë i përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e targave ilegale serbe.

“Roli i tij është gjithmonë konstruktiv, pozitiv, kreativ. Ai po i bën përpjekjet maksimale, pra SHBA-ja, veçanërisht ambasadori Hovenier. Ata janë në kontakt me Brukselin”, tha Kurti pas pjesëmarrjes në një konferencë për rininë në Prizren.

Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, kryeministri i Kosovës e shtyu me 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS-Republika e Kosovës

“Shtetet e Bashkuara i duan edhe 48 orë që përafrimi i djeshëm të mund të shndërrohet në dakordim sot ose nesër. Po i bëjmë përpjekjet maksimale. Unë nuk mendoj që jemi në orët kur duhet të flasim për shtyrje të reja, duhet të flasim për intensitet maksimal, në mënyrë që brenda 48 orëve ta kemi marrëveshjen siç e synuam në Bruksel, duke mos u kufizuar në çështjet siç është puna e targave”.

Faza e dytë parasheh shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me automjete me targa të tilla.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier,  deklaroi se e kërkoi këtë shtyrje për t’i lejuar zyrtarët evropianë dhe ata amerikanë që të angazhohen me Kosovën dhe Serbinë për të gjetur zgjidhje për këtë çështje.

Kërkesa e SHBA-së u bë pasi Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, nuk arritën marrëveshje për targat në një takim të zhvilluar më 21 nëntor në Bruksel.