Takimi i 21 nëntorit, Vuçiç: Po shkoj që të mos na akuzojnë

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç nuk është optimist për suksesin e tryezës së Brukselit që do të mbahet të hënën mes tij dhe kryeministrit Albin Kurti. Nga ana tjetër, Vuçiç theksoi se po shkon në këtë takim për të mos dhënë arsye që Serbia të akuzohet se nuk dëshiron të bëjë asgjë lidhur me këto çështje.

Presidentit i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se nuk është optimist për takimin e 21 nëntorit në Bruksel, ku do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku në fokus do të jenë dy pika: Asociacioni i komunave serbe dhe anulimi i vendimit për targat e automjeteve serbe që hyn në ditën që do të mbahet takimi.

Ndërsa konfirmoi pjesëmarrjen në tryezën e së hënës, Vuçiç theksoi se do të shkojë që të mos japë arsye që Serbia të akuzohet se nuk dëshiron të bëjë asgjë lidhur me këto çështje.

Në prononcim për televizionin Prva, Vuçiç ka konfirmuar se takimi do të fillojë në orën 8 në mëngjes, dhe ka ripërsëritur kushtet e Serbisë që: Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Dhe, duhet të anulojë vendimin për targat.

Takimi mes palëve pritet të ndodhë në ditën kur sipas planit të Qeverisë parashikohet të nisë dhe zbatimi i fazës së dytë për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, e cila parasheh gjobë prej 150 euro.

Që nga 1 nëntori kur Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e vendimit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur.

Vendimi i Qeverisë përcakton që të gjitha makinat me targa serbe të konvertohen në targa të Kosovës, deri më 21 prill të vitit 2023. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht i kanë kërkuar Qeverisë Kurti që të shtyjë afatin për riregjistrimin e makinave që kanë targa ilegale, por thirrja e tyre është refuzuar nga autoritetet kosovare. Në shenjë kundërshtimi lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, nga 5 nëntor serbët janë larguar nga institucionet e Kosovës në katër komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e BE-së, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Pritjet janë që ato të përfundojnë me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Por, pavarësisht disa marrëveshjeve të arritura, qëndrimet e dy palëve mbeten larg.